LajmeMaqedoni

LEN takon kreun e ri të Kuvendit, kërkon pozitën në KSHZ

Gjashtë deputetët e Lidhjes Evropiane për Ndryshim takuan kreun e ri të Kuvendit për të kërkuar nga ai zhbllokimin e procedurës për zgjedhjen e anëtarit të tyre të KSHZ-së. Megjithatë, kryeparlamentari i ri Jovan Mitrevski është nga radhët e LSDM-së, njëjtë si kryetarja e Komisionit për zgjedhje dhe emërime Marija Georgievska të cilën e akuzojnë se bashkë me BDI-në dhe ish kreun e Kuvendit Talat Xhaferi, qëllimisht e kanë bllokuar procedurën.

“Nuk jam optimist por mundohemi të jemi racional si grup parlamentar t’i japim një mundësi kryetarit të Kuvendit që ditëve në vijim të mund të gjejë një zgjidhje edhe pse jemi të vetëdijshëm se jemi të vetëdijshëm se LSDM-ja ka qenë pjesë e kësaj bllokade së bashku me BDI-në në gjithë këtë proces por thjeshtë si kryetar i ri e ka një mundësi që ta dëshmojë veten se nuk do ta ndjekë rrugën që e ndiqte ish kryetari i Kuvendit”, deklaroi Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa.

Në të kundërt, opozita shqiptare do të padisë penalisht Marija Georgievskën për shkelje të procedurës. Ata thonë se vendi në KSHZ është për kandidatin e përzgjedhur të tyre Abdush Demiri. Kandidati tjetër Zulfi Adili i propozuar nga Partia Demokratike Evropiane, sipas LEN, vjen nga një parti e cila tashmë ka marrë pozita në pushtet.

Aleanca për Shqiptarët thotë se Besa mund të kërkojë pozitë në KSHZ vetëm nëpërmjet pozitave të rezervuara për LSDM-në sepse bashkë kanë garuar në zgjedhje.

“Ultimatumet e të ashtuquajturës opozitë, kanë nisur të shndërrohen në lutje drejtuar kryetarit të Parlamentit. Nga bojkoti i parlamentit, kanë kaluar në vizita zyrash të parlamentit. Po e përsërisim, e drejta e anëtarit të KSHZ është e drejtë që nuk falet nga dëshira e mirë ose e keqe e një kryetari parlamenti, kushdo qoftë ai, por është e drejtë që fitohet me votë nga populli në zgjedhjet e fundit. E në zgjedhjet e fundit, populli vendosi që vendin e KSHZ t’ia japë Aleancës për Shqiptarët”, tha Adnan Neziri, Aleanca për Shqiptarët.

KSHZ-ja për momentin funksionon me gjashtë anëtarë, tre nga LSDM-ja, dy nga VMRO-DPMNE-ja dhe një nga BDI-ja. Një vend që deri në shkurt i takonte ASH-së tani mbetet bosh.

Show More

Related Articles

Back to top button