LajmeMaqedoni

Ligji i pagave, ende në fazën përgatitore

Ndërsa zyrtarët, të emëruar e të zgjedhur vazhdojnë të marrin paga prej 78 për qind më të lartë, miratimi i premtuar i ligjit për rregullimin e pagave nuk është ende askund. Ligji për sistemin e pagave mbetet në fazën përgatitore dhe nuk ka një datë të saktë kur do të dorëzohet në Kuvend. Në gjithë këtë zvarritje përfitojnë funksionarët tanimë prej muajsh. Nga Ministria Administratës dhe Shoqërisë Informatike, e cila është vartëse e përgatitjes së këtij ligji, thonë se drafti është i publikuar në platformën elektronike ENER që nga 5 janari i këtij viti. Por, Ministri Aliu tha se ende nuk ka rregulla të qarta dhe metodologji uniforme për llogaritjen e pagave.

“Kjo çështje është e lidhur edhe me ministritë e tjera, kështu që jemi duke punuar intensivisht duke pasur takime. Besoj që shumë shpejtë draft versionin e fundit do ta kemi gati. Ka mospajtime ndërmjet institucioneve të ndryshme, si do që të jetë, ne si shtet duhet të kemi Ligj për paga. Gjatë këtij procesi do të krijohet ligji që do kryej funksionin e një kornize bazike, pastaj në nivel brenda institucioneve dhe të përshkrimit të punës do të krijohen nën funksionet dhe nën elemente që do ti kalkulojnë këto rroga,” Azir Aliu, Ministër i Administratës dhe shoqërisë informatike.

 Ndërsa po vonohet zgjidhja për nivelizimin e pagave të zyrtarëve, por dhe drejtuesve të bordeve dhe trupave rregullator, Sindikatat vazhdimisht po ngrenë zërin për përmirësimin e statusit të të punësuarve në sektorin publik.  Llogaritja e pagave në institucionet e sektorin publik bëhet kush si të mundet. Çdo institucion, drejtori apo sektor i referohet ligjeve dhe akteve nënligjore që ju përshtaten. Ka raste kur për një pozicion dhe punë të njëjtë merren paga me ndryshme me dallim deri në 40%.  Nga bisedimet e Këshillit socio-ekonomik thonë se kërkesa e sindikalistëve është e pranueshme që në kalkulimin e rritjes së pagave sipas metodologjisë së re të merret bazë paga bruto mesatare në vend. Kurse nga autoritetet shtetërore janë të idesë që në hartimin e metodologjisë së krijimit të pagave të merret bazë paga bruto minimale dhe pastaj tu shtohen pikët në bazë të kualifikimit dhe kritereve tjera. Por, nga Sindikata vlerësojnë që paga minimale është e ulët për t’iu referuar rritjes së kostos së jetesës.

“Një familje prej katër anëtarësh me dy paga minimale nuk mund të mbulojë kostot bazë të jetesës në një muaj, përveç asaj që tashmë pagën minimale është rritur 2 mijë denarë. Derisa pagat e funksionarëve janë rritur gati 80%, e përkthyer në para do të thotë sa ata përfitojnë më shumë se tri paga minimale,”thanë nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.

Llogaritja dhe pagesa e rrogave në institucionet e sektorit publik aktualisht kryhet në bazë të marrëveshjeve kolektive, e në disa institucione edhe me rregullore. /alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button