LajmeMaqedoni

Lista pozitive do të zgjerohet edhe me barna të reja

Pacientët me sëmundje të zemrës, diabet apo sëmundje tjetër të sistemit nervor harxhojnë rreth 6000 denarë në muaj për terapi të rregullt, kjo pasi ilaçet inovative për këto sëmundje nuk janë pjesë e listës pozitive të Fondit Shëndetësor. Farmacistët thonë se pos këtyre dy sëmundjeve kronike, edhe shumë sëmundje tjera trajtohen me terapi të cilat nuk i mbulon shteti, e që pacientët detyrohen t’i marrin privatisht. Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente në listën pozitive duke thënë se lista e Fondit është shumë e varfër dhe me ilaçe të vjetra të cilat rrallë shkruhen nga ana e mjekëve.

“Një pacient që është I diagnostikuar me sëmundje të ndryshme në moshë geriatrike harxhon një shumë të majme të parave. Zgjerimi I listës pozitive është e domosdoshme në gjendjen të cilën jetojmë sepse çmimet janë të pa përballueshme, të japësh nga 50 deri në 100 euro për barna për diabet apo sëmundje kardio vaskulare… është e domosdoshme ndërhyrja e MSH dhe Fondit me qëllim që të lehtësohen nevojat e qytetarëve”, tha Aulon Ramadani, Farmacist.

Ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti ka premtuar zgjerimin e listës pozitive, megjithëse nuk dihet se kur do të ndodhë një gjë e tillë. Përmes një kumtese nga MSH thonë se përgatitjet për revidimin e listës janë nga fundi.

“Në fazë është miratimi i rregullores së re për vendosjen e një ilaçi në listën pozitive e cila rregullon procedurën transparente dhe parasheh kriteret që duhet të plotësohen në mënyrë që ilaçi të jetë pjesë e listës pozitive. Hapi i radhës është që kompanitë farmaceutike të shfaqin interes për paraqitjen e kërkesave, sipas procedurës dhe duke qenë se bëhet fjalë për një dokumentacion më të gjerë që aktualisht janë duke përgatitur vetë kompanitë, presim që aplikimet të arrijnë në periudhën e ardhshme”, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Zgjerimi i listës pozitive premtohet vite me radhë nga shumë ministra të Shëndetësisë megjithatë e njëjta nuk ka pësuar ndryshime më shumë se 10 vite. /Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button