LajmeMaqedoni

Maqedonia e Veriut është eksportues i stabilitetit në rajon

Ministri i Punëve të Jashtme dhe kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani, ka takuar sot të dërguarin special të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach.

Siç njoftojnë nga MPJ, në takim u shkëmbyen mendime për rrjedhën e negociatave me BE-në dhe proceset e brendshme në këtë kontekst, ku Lord Peach e përsëriti domosdoshmërinë e rrumbullakimit të ndryshimeve kushtetuese me qëllim për të trasuar me dinamikë të përshpejtuar rrugën integruese europiane të vendit. Ministri Osmani falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme britanike të këtij plani, duke nënvizuar më tej shkallën e lartë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve aleate në kuadër të NATO-s.

“Në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së, Osmani e njohu bashkëbiseduesin me ngjarjet aktuale në lidhje me kryesimin tonë me OSBE-në, aktivitetet e realizuara dhe të planifikuara në të ardhmen përmes prizmit të prioriteteve të përcaktuara, në të cilat Ukraina qëndron si prioritet i parë dhe kryesor”.

“Në takim u diskutua edhe për dinamikat rajonale, ku bashkëbiseduesit u pajtuan se Maqedonia e Veriut perceptohet si vend eksportues i stabilitetit në rajon, ndër të tjera, duke kryesuar dy iniciativa të rëndësishme rajonale këtë vit, Kartën e ShBA-së dhe Adriatikut (A5) dhe Procesi i Bashkëpunimit në Europën Juglindore (PBEJL). Të dy bashkëbiseduesit e përshëndetën progresin e arritur në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, që paraqet hap të rëndësishëm me interes për të gjithë rajonin e BP-së. Ministri Osmani potencon se Maqedonia e Veriut, si fqinj i drejtpërdrejtë i të dyja vendeve, inkurajon të gjitha zgjidhjet që sigurojnë stabilitet dhe perspektivë të BE-së për të gjithë rajonin”, thonë nga MPJ Maqedoni.

Show More

Related Articles

Back to top button