Maqedonia u hoq nga rendi i ditës së seancës në Kuvendin e Bullgarisë

Ministri teknik për Punë të Jashtme, Nikolaj Milov, i cili duhej të fliste, për sulmet ndaj bullgarëve në Maqedoni, nuk u paraqit në seancën Kuvendit Popullor në Sofje. Prandaj, nga rendi i ditës i seancës u hoq pika që ishte paralajmëruar si seancë e ministrit zyrtar të Punëve të Jashtme, Nikollaj Milkov, lidhur me një rast tjetër të sulmit fizik ndaj bullgarëve dhe shtetasve bullgarë në Maqedoni, transmeton Portalb.mk..

Me kërkesë të GERB-it, deputetët bullgarë kanë marrë në pyetje kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kamelia Neikova, lidhur me përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, përfshirë edhe rezultatet e testeve të votimit në letër.

Sot në mëngjes presidentit Radev iu kthye mandati i tretë nga kryetarja e BSP-së, Kornelia Ninova, e cila duhej të formonte qeverinë. E majta e rimerr mandatin pikërisht një javë pas marrjes së detyrës.

Kujtojmë se për shkak të situatës së rëndë në lidhje me të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut, MPJ bullgare thirri ambasadorin Angel Angelov për konsultime në Sofje 

Shkak për kthimin e tij të përkohshëm në vend, siç theksohet nga MPJ bullgare, është gjendja e rëndë në lidhje me të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut dhe përshkallëzimi i akteve dhe krimeve të urrejtjes kundër tyre në muajt e fundit: zjarrvënia në klubin “Ivan Mihajllov – Manastir në qershor 2022, tre sulmet në ndërtesën e klubit Car Boris III – Ohër, përfshirë të shtënat me armë zjarri më 24 nëntor 2022, fushatën agresive antibullgare në mediat sociale në Maqedoninë e Veriut, sulmin brutal më 19 janar 2023 të Hristijan Pendikov, sekretar i organizatës “Car Boris III” në qytetin e Ohrit, si dhe miratimi i ligjit diskriminues për fondacionet dhe shoqatat në Maqedoninë e Veriut në nëntor 2022.

MPJ bullgare thekson se qëllimi i konsultimeve është që të ndalet, siç thonë ata, trendi i rrezikshëm i rritjes së presionit ndaj qytetarëve të Maqedonisë, të cilët ndjehen si bullgarë.

Ministri bullgar i Punëve të Jashtme Nikolai Milkov tha se i ka njoftuar kolegët e tij në Këshillin e BE-së për rastet e rritjes së presionit ndaj përfaqësuesve të pakicës bullgare në Maqedoni. Pas takimit para gazetarëve bullgarë në Bruksel, ai shprehu pritejet se BE-ja do të mbajë qëndrim.

Presidenti i Maqedonisë Stevo Pendarovski dje pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit e njoftoi opinionin se do t’i propozojë Qeverisë ndalimin e hyrjes së një eurodeputeti dhe disa shtetasve të tjerë bullgarë.

Edhe pse nuk e përmendi me emër, është më se e qartë se bëhet fjalë për eurodeputetin nga Bullgaria, Angel Xhambaski, i cili njihet për retorikën e tij nacionaliste dhe ofenduese ndaj Maqedonisë së Veriut dhe popullit maqedonas në histori, por edhe në kontekstin e zhvillimeve dhe ngjarjeve aktuale politike.

Dje zhvilloi mbledhje Këshilli i sigurimit të Maqedonisë së Veriut. Pjesë e mbledhjes ishin edhe raportet me Bullgarinë, duke numëruar edhe ngjarjen në Ohër, duke e vlerësuar si “pjesë e vogël e krejt mozaikut”.