LajmeMaqedoni

Marrëveshje e re kolektive pret ujdinë e palëve

Këshilli Ekonomik Social deri të premten do të formojë grupe punuese, që do të punojnë për përgatitjen e marrëveshjes së re kolektive të të punësuarve në sektorin publik. Ky këshill që është formuar nga ekzekutivi, përbëhet nga qeveria dhe partnerët social si sindikatat dhe punëdhënësit si dhe përfaqësues të më shumë ministrive. Ai synon që përmes dialogut social të krijojë kushte për stabilitet ekonomik dhe social, dhe si vend ku debatohen dhe miratohen edhe më shumë çështje për të drejtat dhe obligimet e punëtorëve si marrëveshjet kolektive, paga minimale si dhe ndjek dhe vlerëson ndikimin e çmimeve dhe pagave ndaj stabilitetit ekonomik në vend.

Si konkludim nga takimi i së hënës, del se të gjithë partnerët social do të delegojnë anëtarët e tyre në grupin punues për të punuar në marrëveshjen e re kolektive. Pritet që në muajt në vijim edhe të gjendet kompromis dhe një zgjidhje e përbashkët, pas harmonizimit të qëndrimeve ndërmjet sindikatave dhe Qeverisë. Pas prezantimit të zgjidhjes së re ligjore, u theksua se bëhet fjalë për një ligj kompleks , i cili kërkon vëmendje të veçantë, prandaj sugjerimet dhe mendimet e të gjitha palëve kanë të një rëndësie të madhe. Si Qeveri, ne vazhdojmë së bashku dhe përmes dialogut, të sjellim zgjidhje sistemore që janë të drejta dhe japin rezultate në suaza afat gjate, thonë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

PRET NGA 2008-ta

Ministrja e këtij dikasteri Jovanka Trençevska, thekson nevojën për një Marrëveshje të re të Përgjithshme Kolektive, duke pasur parasysh se Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e fundit është nënshkruar në vitin 2008 dhe ndërkohë kanë ndodhur një numër i madh ndryshimesh në legjislacion.

Nga sindikatat kanë më shumë vërejtje dhe sugjerime për marrëveshjen e re kolektive. “Ne angazhohemi për propozim marrëveshjen të propozuar nga Lidhja e Sindikatave dy vite më parë. Që atë herë shumë gjëra kanë ndryshuar në aspektin e zgjidhjeve ligjore. Andaj presim që grupet punuese të punojnë në përmirësimin dhe rregullimin e draft tekstit të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, ndërsa teksti i përfunduar do të shqyrtohet edhe një herë në seancën e ardhshme të Këshillit Ekonomik dhe Social, thotë Trpe Deanovski nga LSM. Kërkohet të intervenohet edhe në Ligjin e ri për paga, pasi propozim i tij nuk është i pranueshëm për sindikalistët. Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Policisë, Goce Dellçev Todev, thotë se është e qartë se do të ketë një problem të madh, sidomos në pjesën e Ligjit të ri për paga. Andaj shton se duhet të ketë një qasje serioze në pjesën e gjetjes së zgjidhjes për pagat e punonjësve të policisë. Marjan Risteski nga Konfederata e Organizatave Sindikale të Maqedonisë thotë se do të kërkojnë tërheqjen e projektligjit për paga në sektorin publik dhe se do t’i japin vërejtjet e tyre për marrëveshjen kolektive.

PREMTOHEN MË SHUMË TË DREJTA PËR PUNËTORËT

Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, kanë paralajmëruar se Marrëveshja e re e Përgjithshme Kolektive në sektorin publik, pritet të sigurojë të drejta më të mëdha për punëtorët, ndërsa metodologjia e re do të sigurojë rritje të vazhdueshme të pagave të punëtorëve. Njëherësh ngjashëm me zgjidhjen e pagës minimale si zgjidhje sistemore që nuk do të varet nga ndryshimi i pushtetit, pritet që të jetë një zgjidhje sistematike që nuk do të varet nga vullneti politik i askujt. Në takimet e kaluara, midis sindikatave dhe qeverisë në grupin punues për krijimin e marrë veshjes së re kolektive është biseduar që në marrëveshjen e re të përgjithshme kolektive të përfshihet edhe përcaktimi i një metodologjie të re për përllogaritjen e pagave, e cila do të sigurojë një korrigjim të rregullt të pagave sipas kritereve që duhet të përcaktohen më tej.

Kohë më parë, Qeveria dhe Lidhja e Sindikatave u pajtuan për përfshirjen maksimale të organizatave sindikale në procesin e reformës në sektorin publik, që përfshin optimizimin dhe racionalizimin, si dhe hartimin e përbashkët të një ligji të ri për pagat në sektorin publik që duhej të aplikohet nga 1 janari 2023.

Negociatat për nënshkrimin e marrëveshjes së përgjithshme kolektive për sektorin publik me Sindikatat e Maqedonisë nuk kishin të ndalur edhe përgjatë vitit 2022, mirëpo deri tani akoma nuk është arritur përfarim i qëndrimeve ndërmjet Qeverisë dhe Sindikatës në bisedimet që filluan në muajin prill të vitit të kaluar. Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë thonë se presin të gjejnë zgjidhje edhe për problemet e radhës së punëtorëve, pas rritjes së pagës minimale dhe anulimit të së dielës si ditë pune.

Ato që para dy vitesh kishin paralajmëruar se me marrëveshjen e re të përgjithshme kolektive për sektorin publik, do të ofrohet zgjidhje e favorshme për rritjen pagave për punë jashtë orarit, punën natën dhe në turne, punën të dielën, rritje e ditë ve të pushimit dhe vendosjen e bazave shtesë për ditët e pushimit me pagesë, vendosjen e një dispozite të detyrueshme për konsultimin e punëtorëve, si dhe obligimin e detyrueshëm për nënshkrimin e një marrëveshjeje kolektive në nivel punëdhënësi për punëdhënësit me mbi 30 të punësuar dhe përmirësime të tjera në të drejtat e punës. (koha.mk)

Show More

Related Articles

Back to top button