LajmeMaqedoni

Mickoski: Në 30 vjet, kemi ndryshuar Kushtetutën sa krejt vendet anëtare të BE-së

Kur u pyet për qëndrimin e tij se fillimisht duhet të mbahen zgjedhjet, e më pas të diskutohet për amendamentet kushtetuese, Mickoski komentoi se zgjedhjet janë akt demokratik dhe rrugë për popullin që vendos për proceset politike në një vend dhe të japë mandat nëse dhe në çfarë kushtesh do të ndryshohet Kushtetuta e Maqedonisë

  Duke iu përgjigjur pyetjes për mesazhet e zyrtarëve të lartë të BE-së, si Josep Borell, ministrat e Punëve të Jashtme të Grupit të Vishegradit, mesazhet e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Blinken, e të tjerë, se ndryshimi i Kushtetutës është mënyra e vetme e prosperitetit të Maqedonisë së Veriut në kuadër të perspektivave evropiane, Mickoski përsëriti qëndrimin e VMRO-DPMNE-së.  “Nëse ndryshimi i Kushtetutës është kusht për BE-në, atëherë Maqedonia do të ishte anëtare dhe kampione e BE-së, sepse në këto tridhjetë vjet kemi pasur ndryshime të Kushtetutës sa të gjitha vendet anëtare së bashku. Këtë ua themi me zë të lartë dhe qartë partnerëve tanë nga komuniteti ndërkombëtar. Partneriteti është një rrugë e dyanshme e bazuar në respekt. Garancitë institucionale nga BE-ja janë një hap i vogël për ta, por një inkurajim i madh për ne që rruga evropiane nuk është objektiv lëvizës, por diçka që është e arritshme”, tha Mickoski për Politika.

Ai përsëriti premtimet e bëra nga BE-ja para referendumit për Marrëveshjen e Prespës, duke theksuar se garancitë institucionale të BE-së duhet të nënkuptojnë se kjo, çdo Qeveri e ardhshme dhe Qeveria pas saj do të ketë një objektiv konkret për të përmbushur. Për ofertën e kryeministrit Dimitar Kovaçevski për hyrje në Qeveri dhe dorëheqjet e ministrave të BDI-së, Mickoski tha se “nuk na duhet pushteti për hir të pushtetit, herët a vonë do të ketë zgjedhje në Maqedoni”. “Pjesëmarrja në një Qeveri në të cilën nuk do të jenë pjesë strukturat e inkriminuara të LSDM-së dhe BDI-së, vetëm mund të ndihmojë në nxjerrjen e shtetit nga fundosja që ndodh çdo ditë. Mund të ndihmonte vetëm shtetin që të ecë më lehtë drejt reformave, por e njëjta gjë pa qëndrime të qarta në marrëdhëniet me jashtë është e kotë. Ju mund të bëni reforma që janë të shkëlqyera, por në një tryezë tjetër ku Bullgaria insiston, do të frenoheni për shkak të narrativave historike dhe retrograde. Më lejoni të përmend se Qeveria nuk u prononcua për këto propozime tona, por u përpoq t’i keqpërdor dhe t’i shtrembërojë në mënyrë perfide. Tani zgjidhja e vetme që na ka mbetur janë zgjedhjet”, theksoi lideri i opozitës.

Kur u pyet për qëndrimin e tij se fillimisht duhet të mbahen zgjedhjet, e më pas të diskutohet për amendamentet kushtetuese, Mickoski komentoi se zgjedhjet janë akt demokratik dhe rrugë për popullin që vendos për proceset politike në një vend dhe të japë mandat nëse dhe në çfarë kushtesh do të ndryshohet Kushtetuta e Maqedonisë. “Konsensusi që kërkonte publiku, i cili i referohej temave historike dhe identitare të mbetura jashtë negociatave, të cilat i referoheshin një lloj reciprociteti dhe sinjali pozitiv dhe garancitë institucionale nga BE-ja dhe Bullgaria, janë një bazë e mirë mbi të cilën Qeveria e ardhshme e VMRO-DPMNE-së do të luftojë për të ardhmen evropiane”, tha Mickoski, duke shtuar se deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe partnerët e koalicionit nga grupi parlamentar kanë treguar se këto ndryshime nuk mund të ndodhin nën diktim.

Mickoski në intervistën për Politika foli edhe për marrëdhëniet me Serbinë, të cilat i vlerëson të mira, me hapësirë ​​për përmirësim ekonomik. “Nëse më lejoni të jem ‘nacionalist ekonomik’, qeveria e re e ardhshme e VMRO-DPMNE-së në Maqedoni do të konkurrojë me sukses me Serbinë në të ardhmen, kështu që pse jo dhe ta mposhtim atë kur është fjala për tërheqjen e investimeve dhe zhvillimin ekonomik”, tha Mickoski. \koha.mk\

Show More

Related Articles

Back to top button