LajmeMaqedoni

Mickoski për letrën e liderit të BDI – së: Letrës së Ahmetit do t’i qasem me shumë vëmendje, sikurse çdo qytetari që më shkruan

Kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, theksoi se ende nuk e ka pranuar letrën e dërguar sot nga kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në të cilën ai shpreh shqetësimin për vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese dhe mosrespektimin e Marrëveshjes së Ohrit. “Jo, nuk e kam marrë letrën, nuk e kam parë. Kur ta marr, do ta komentoj. Marr shumë letra dhe mesazhe që i lexoj çdo ditë”, tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas inspektimit të punimeve në autostradën Gostivar-Bukojçan në Korridorin 8. I pyetur nga televizioni Globi nëse vërtetë nuk e ka lexuar letrën apo nuk dëshiron çështjes t’i jap vëmendje, Mickoski tha se komunikimit me qytetarët i qaset me shumë kujdes.

“Zoti Ahmeti është qytetar dhe duhet kushtuar vëmendje çdo letre të çdo qytetari që vjen. Normalisht, kështu vepron një qeveri e përgjegjshme. Siç tha zëvendëskryeministri Mexhiti, ne nuk luajmë futboll, ne jemi të përgjegjshëm”, shtoi kryeministri.

I pyetur për koment lidhur me letrën që Ahmeti ia ka dërguar Mickoskit, sot në të njëjtin takim foli edhe zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i mjedisit jetësor Izet Mexhiti.

“Ne nuk jemi këtu sot për letra dhe biseda boshe apo për të luajtur futboll. Ne kemi dëgjuar shumë njëri – tjetrin në të kaluarën. Ne jemi këtu për një punë konkrete, domethënëse, ai është Korridori 8 dhe jam i lumtur që dinamika është në lulëzim të plotë për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm për shtetin”, tha Mexhiti në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve pas inspektimit të punës në autostradën Gostivar-Bukojçan.

BDI njoftoi më herët gjatë ditës së sotme se lideri i saj i ka dërguar një letër liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në të cilën shpreh shqetësimin për vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese për “shfuqizimin e mekanizmave kyç për mbrojtjen e komuniteteve” dhe ndikim e tyre në kohezionin ndëretnik dhe qëndrueshmërinë e vendit.

Ahmeti paralajmëron se në situatën aktuale komplekse gjeopolitike në botë dhe në rajon, të cilën ai e konsideron më të rrezikshme se në çdo kohë që nga fundi i shekullit të kaluar, çdo prishje e re e marrëdhënieve ndëretnike do të kishte, siç thotë ai, pasoja të rënda për kohezionin e brendshëm dhe parashikueshmërinë. Një letër të ngjashme dje Ahmeti i dërgoi edhe faktorit ndërkombëtarë dhe krerëve të shtetit në Shqipëri dhe Kosovë.

Show More

Related Articles

Back to top button