LajmeMaqedoni

Moszbardhja e rasteve të vrasjeve rrit pasigurinë te qytetarët në Maqedoni

Autoritetet e sigurisë në Maqedoninë e Veriut thonë se me intensitet po hetohet rasti i vrasjes së dyfishtë në një lokal në rrugën që lidh Kalanë me Çarshinë e Vjetër të Shkupit, megjithëse autorët e kësaj vrasjeje mbeten në arrati.

Kjo ka bërë që qytetarët të ndihen të shqetësuar, veçanërisht prindërit, për sigurinë e të rinjve, të cilët e frekuentojnë këtë lokalitet gjatë orëve të mbrëmjes.

Emi Ivkovska, nënë e një djali 20-vjeçar, thotë për Radion Evropa e Lirë se pas ngjarjes, edhe më shumë i është shtuar frika sa i përket sigurisë së të rinjve, veçanërisht gjatë daljeve në orët e vona.

Ajo thotë se kjo ngjarje po edhe shumë raste të tjera, të cilat kanë mbetur ende të pandriçuara në tërësi, bëjnë që bandat kriminele të veprojnë pa frikë madje edhe në sy të dëshmitarëve.

“Unë, si nënë, aspak nuk ndihem e sigurt për sigurinë e djalit tim për shkak të zhvillimeve të fundit – ekzekutimit në një ambient shumë të frekuentuar nga të rinjtë. Ministria e Punëve të Brendshme duhet të jetë më aktive për sa i përket zbardhjes së rastit me vrasjen e dyfishtë nga personat e maskuar. Organet sigurisë dhe ato të drejtësisë duhet të jenë më transparente dhe me emër e mbiemër të tregojnë se kush qëndron pas aktiviteteve kriminale, kush janë porositësit, ekzekutorët dhe motivet e zhvillimeve që përfundojnë me vrasje”, shprehet Ivkovska.

Stefan Buxhakoski, ligjërues i Shkencave të Sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se moszbardhja e rasteve në tërësi bën që, për fat të keq, në liri të shëtisin persona me dosje të rëndë kriminale.

Ai, po ashtu, konsideron se mosefikasiteti i policisë jo vetëm që ngjall frikë te qytetarët, por njëkohësisht inkurajon kriminelët se mund të mbeten pa u ndëshkuar edhe pse kryejnë veprime të tilla.

“Kur kemi të bëjmë me preventivën te kriminaliteti i organizuar, çështje thelbësore mbetet efikasiteti i shërbimeve të sigurisë në raport me zbulimin e rasteve kriminogjene. Kjo do të thotë se aktivitetet kriminale duhet të shuhen me kohë dhe si të tilla të procedohen tek organet e drejtësisë”, thekson Buxhakoski.

Nga dikasteri i Policisë dhe Prokuroria deri tash nuk kanë dhënë detaje rreth pistave të hetimit e as për motivet e vrasjes së dyfishtë.

“Të gjitha provat materiale të siguruara në vendin e ngjarjes do t’i nënshtrohen ekspertizës. Janë siguruar incizimet nga kamerat e sigurisë në objektin ku kanë ndodhur vrasjet, objektet përreth përfshirë edhe incizime nga sistemi ‘Qyteti i sigurt’.

Prokurori i rastit ka urdhëruar zhvillimin e bisedave informative me personin e plagosur dhe personat e tjerë, të cilët ishin të pranishëm në lokal gjatë kohës kur kanë ndodhur vrasjet”, është ky njoftimi i vetëm që ka bërë Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut.

E, në mungesë të informacioneve zyrtare, mediat në Maqedoninë e Veriut kanë theksuar se personat e vrarë ishin pjesë e nëntokës kriminele.

Ish-gjykatësi Bashkim Selmani thotë për Radion Evropa e Lirë se në momentin që rritet shkalla e varfërisë, ka njerëz që futen në botën e krimit veçanërisht duke marrë para me fajde, apo duke shitur lëndë narkotike.

“Faktikisht këto grupe rrisin dominimin edhe brenda shtetit po edhe jashtë. Në momentin kur ata kanë përplasje për sa i përket dominimit të shtrirjes gjeografike, vjen deri te përleshja e tyre, kjo nuk i bën mirë shoqërisë, pasi krijon pasiguri… Për sa i përket zbardhjes, ne në drejtësi themi se nuk ka krim pa gjurmë, po nëse shteti është indiferent atëherë ai është që humb gjurmë, në këtë rast nuk zbardh vrasjet mes bandave”, vlerëson Selmani./REL/

Show More

Related Articles

Back to top button