LajmeMaqedoni

NATO është informuar për paraqitjet për bomba, në MPB është formuar shtab i posaçëm

Disa objekte në shtet edhe dje u evakuuan për shkak të paraqitjeve për mjete shpërthyese, për të cilat, si edhe në ditët e kaluara, u konfirmua se janë të rrejshme pas kontrolleve nga njësitë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Për paraqitjet për bomba kompetentë dje i njoftuan edhe strukturat e NATO-s, në MPB tashmë është formuar shtab i posaçëm, ndërsa pritet të thirret edhe Këshilli për koordinim ku do të bisedohet për aspektin e sigurisë nacionale.

Gjatë ditës së djeshme, paraqitje për bomba pati në dhjetë shkolla të Shkupit dhe pesë të Manastirit, Aeroportin ndërkombëtar Shkup, QS “Boris Trajkovski”, Arenën nacionale “Toshe Proeski”, Federatën e futbollit të Maqedonisë së Veriut, Ist Gejt Moll, si dhe disa hotele.

Nga objekti i hotelit “Aleksandar Pallas” u anulua konferenca vjetore e Odës ekonomike të Maqedonisë së Veriut ku duhej të fliste kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski dje theksoi se që të punohet në rastin me paraqitjet për bomba, është formuar shtab i posaçëm në MPB.

“Pres që të mblidhet edhe Këshilli Koordinues, ku do të diskutojmë për aspektin e sigurisë kombëtare, sepse këtu duhet të përfshihet edhe Agjencia për Siguri Kombëtare dhe institucionet tjera që janë të rëndësishme në këtë pjesë. Sepse nëse alarmet janë njoftim për terrorizëm, atëherë duhet të përfshihemi të gjithë në këtë për të stabilizuar situatën”, theksoi Spasovski.

Ai tha se pjesë e porosive që janë dërguar janë të njejta me ato të cilat i marrin edhe vendet në rajon.

“Ne kemi një pozicion të mirë gjeostrategjik, na ndihmon shumë për gjëra të tjera, por në aspektin e sfidave të sigurisë është një tregues i madh. Disa nga mesazhet që po dërgojnë këto ditë janë të njëjtat mesazhe që po marrin vendet e rajonit. Plotësisht i njëjti tekst që është tek ne është edhe në disa vende të rajonit, Mali i Zi, Republika Srpska. Sigurisht që ka edhe një segment tjetër në të cilin ka njoftime për arsye të tjera. Ju e dini që në Shkup kemi një rast të përfunduar, të zbuluar brenda një dite, jemi në rrugë të mirë që ta realizojmë shpejt edhe për Kavadarin, punojmë vazhdimisht me partnerët tanë ndërkombëtarë, me të gjitha organizatat ndërkombëtare që mund të ndihmojnë në këtë pjesë me qëllim për të arritur deri te zbulimi”, theksoi Spasovski.

Ai theksoi se qetësia dhe reagimi i shpejtë janë të rëndësishme dhe këtë e bën policia e Maqedonisë në çdo moment.

“Qëllimi është nxitja e frikës, pasigurisë, panikut, shkatërrimi i institucioneve, kolapsi i pushtetit politik në vend, por ne e kundërshtojmë me sukses dhe do ta kundërshtojmë sepse qytetarët tanë zgjedhin rrugën dhe të ardhmen tonë. Askush nga jashtë nuk mund të na imponojë nëse do të jemi pjesë e NATO-s dhe nëse do të ndjekim rrugën evropiane. Sigurisht që kjo është një sfidë, të shpresojmë që i gjithë procesi të zgjidhet”, tha ministri.

Sipas kryeministrit Dimitar Kovaçevski, intensiteti dhe shtrirja e paraqitjeve për bomba, si dhe mostra e cila zbatohet për paraqitjet në shtet, por edhe në vende të tjera, bën të mendosh se bëhet fjalë për sulme hibride.

“Kur janë të organizuara me intensitet të këtillë, me shtrirje aq të gjerë, me targetim të vendeve, institucioneve, objekteve dhe qyteteve me numër të madh të banorëve, ku po përsëritet mostra (shembulli) i porosive të cilat janë të njejta në disa shtete, ndërkaq janë të njejta në shumë shtete, atëherë mund të vihet supozimi se bëhet fjalë për luftë hibride, sepse nëse do të ishte rast i izoluar i adoleshentëve hakerë, atëherë nuk do të ishin në aq shumë shtete, në aq institucione të njejta në aq ditë të njejta, me aq intensitet të njejtë të ndodhin, nëse do të kishin qenë raste të izoluara”, tha në pyetjen e gazetarëve Kovaçevski në konferencën për shtyp në Qeveri me rastin e prezantimit të buxhetit të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve për vitin 2023.

Ai i ndërlidhi paraqitjet si formë e luftës hibride me konfliktin në Ukrainë, duke e cekur si konfliktin më të madh ushtarak në kontinent pas Luftës ës Dytë Botërore për shkak të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, dhe kjo në më pak se 100 kilometra larg vendit tonë.

“Duke pasur parasysh mjetet për komunikim të cilat janë të kapshme sot në vitin 2022, karahasuar me atë që ishte e kapshme në vitin 1941 kur nuk ishin të mundura luftërat hibride dhe sulmet kibernetike, është për t’u pritur se kjo është pjesë e asaj që po ndodhë në kontinentin evropian. Nëse e shihni përmbajtjen e bombave, është shumë e qartë se në Evropë ekzistojnë dy palë – njëra e cila këmbëngulë se shtetet nuk duhet vetë pa përcaktojnë rrugën e vet demokratike, siç i është shkurtuar kjo Ukrainës, se nuk kanë të drejtë shtetet e vogla vetë të vendosin për të ardhmen e vet dhe pala tjetër, së cilës i takojmë ne, botës demokratike, palë e cila është anëtare e aleancës më të madhe mbrojtëse në botë dhe e cila përbëhet nga anëtare të BE-së dhe atyre që do të jenë anëtare të Unionit, siç është vendi ynë”, theksoi kryeministri Kovaçevski.

Ministri i Punëve të jashtme, Bujar Osmani dje informoi se janë alarmuar strukturat e NATO-s për paraqitjet e vazhdueshme për bomba në vend. Edhe Osmani është i qëndrimit se bëhet fjalë për kërcënime hibride që ndodhin edhe në rajon.

“Kjo po ndodh edhe në rajon. Mali i Zi vendosi që shkollat të jenë onllajn për shkak të alarmeve të përditshme për mjete shpërthyese. E njëjta gjë po ndodh edhe në Kroaci. Dhe kjo më dha sinjal se kjo është qasje rajonale si sulm hibrid ndaj rajonit, për çka ishte edhe një arsye që ta alarmojmë NATO-n. Dje komunikuam me strukturat e NATO-s që të shohim se çfarë qasje hibride mund të ketë drejt rajonit, cili mund të jetë shkaku”, tha Osmani.

Ministri Osmani informoi se për forenzikën e e-maileve me kërcënime kontaktojnë edhe me partnerët e tjerë me të cilët vendi ka marrëdhënie dypalëshe që, siç tha, të shohim prej nga vijnë burimet e këtyre porosive elektronike. 

Show More

Related Articles

Back to top button