LajmeMaqedoni

NE BLEJMË 430 LITRA, SLLOVENËT 950 LITRA! Çmimi i benzinën i njëjtë, pagat e vogla

Në Slloveni apo Austri me një standard jetësor për disa herë më të lartë se në Maqedoni, karburantet e naftës paguhen me çmime të përafërta si tek ne

Qytetarët në Maqedoni paguajnë çmime të ngjashme të derivateve të naftës me ato në Slloveni, por me paga dyfish më të ulëta se në shtetin alpin. Bile ato vazhdojnë të ankohen për çmimet e larta të derivateve, ku thonë se janë të papërballueshme për standardin jetësor në vend. Një gjë të tillë thonë se e kanë vërejtur edhe bashkatdhetarët, që vështirë mund të bëjnë dallimet me vendet ku jetojnë.

Përllogaritjet tregojnë se në Maqedoni me një pagë prej 36 mijë denarë mund të blihet 430 litra benzin, ndërsa në Slloveni me një pagë prej afër 1400 euro mund të blihen 950 litra benzinë. Në Kroaci me një pagë mesatare prej 1130 euro mund të blihen afër 750 litra të benzinës. Në Austri, çmimet e benzinës për veturat janë 1.6 euro dhe të naftës janë 1.61 euro, andaj me një pagë mesatare prej 1968 euro, mund të blihet afër 1200 litra benzinës për ngasjen e veturës. Thënë ndryshe, në Slloveni apo Austri me një standard jetësor për disa herë më të lartë se tek ne , karburantet e naftës paguhen me çmime të përafërta si në Maqedoni. Ngasësit e veturave në Slloveni paguajnë 1.4 euro për një litër të benzinës dhe 1.5 euro për një litër të naftës.  Nga ana tjetër pagat mesatare në Slloveni janë 1420 euro, karshi pagës mesatare prej afër 600 euro në Maqedoni. Në fundjavë, në tregun vendor, eurosuper 95 në pikat e karburantit në shtet kushtoi 85.5 denarë, ndërsa një litër eurodizel – 78.5 denarë.

Ndërkaq, në tregun e Kosovës se një litër naftë është treguar deri 1.43 euro për litër dhe 1.46 euro euro për një litër benzinë. Në Shqipëri, në pikat e karburanteve nafta po shitet për 185 lekë për litër, ndërsa benzina për mesatarisht 188 lekë, apo afër 1.5 euro.  Karburantet në Bullgari shiten për 1.328 dhe 1.278 euro, ndërsa në Kroaci benzina kushton prej 1.5 deri 1.9 euro për litër në varësi të pompës së benzinës dhe nafta kushton 1.4 euro. Në Itali – çmimet janë 1.89 dhe 1.74 euro. Në Greqi, karburanti paguhet me 1.94 për litrën e naftës dhe 1.65 për litrën e dizelit. Në Gjermani vozitësit e veturave e paguajnë një litër të naftës me 1.90 euro dhe një litër të benzinës me 1.71 euro.

Kostoja e karburanteve të naftës në Maqedoni dhe rajon varen në radhë të parë nga çmimet e naftës në bursat botërore. Përskaj këtij treguesit kryesor, në çmimin përfundimtar marrin pjesë edhe kursi i dollarit, shkalla e tatimit në vlerë të shtuar, si dhe taksat e ndryshme si akciza që paguhet krahas çmimit themelor të naftës. Analizat krahasuese tregojnë se në dy vitet e fundit, si rrjedhojë e turbulencave politike në disa nga rajonet kryesore prodhuese të naftës, por edhe për shkak të krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia dhe uljes për disa muaj të kërkesës për naftë në botë, është shënuar luhatje e çmimeve në bursat botërore. Në fund të vitit të kaluar në vend karburanti paguhej edhe më shumë se 100 denarë, për litër ndërsa tani luhatet ndërmjet 70 dhe 80 denarë. Deri në fund të muajit korrik, çmimet e naftës janë rritur për pesë javë me rresht ku në fund të muajit të kaluar ato kanë kushtuar 85 dollarë në tregun e Londrës dhe 80.6 dollarë në tregun amerikan për një barel. Bile të premten e kaluar apo më 6 gusht çmimi në Evropë për një barel u rrit në 86.07 dollarë për një barel, ndërsa për një muaj çmimi është rritur për më shumë se 10 për qind nga 76.56 sa ishte një muaj më parë.

Në tregjet botërore çmimet e naftës u rritën për disa javë radhazi, pasi tregtarët ishin të shqetësuar për ndërprerjet e furnizimit, por çmimet u mbështetën edhe nga dobësimi i dollarit. Në mbështetje të rritjes së çmimeve është edhe oferta e zvogëluar. Organizata e prodhuesve të naftës- Opek, dhe partnerët e saja, disa herë deri tani kanë ulur prodhimtarinë për të mbështetur çmimet. Njëherësh Arabia Saudite dhe Rusia po përgatiten që në gusht të ulin prodhimtarinë për një milion apo për gjysmë milioni barel në ditë. Importuesi më i madh në botë i naftës si Kina mund të jetë gjithashtu duke kontribuar në rritjen e çmimeve.

Një rënie e mprehtë e vlerës së dollarit kundrejt një shporte valutash ka ndikuar pozitivisht edhe në çmimet e naftës, në nivelet më të ulëta në 15 muaj. Domethënë, kjo e bën naftën më të lirë për blerësit në valuta të tjera dhe në raste të tilla rritet kërkesa për “arin e zi”. Nga ana tjetër, tregtarët shprehen të shqetësuar për ngadalësimin e rritjes së ekonomive perëndimore, pasi bankat qendrore vazhdojnë të rrisin normat e interesit për shkak të inflacionit të lartë. Megjithatë, tregtarët shpresojnë që për shkak të lehtësimit të presioneve inflacioniste në ShBA, cikli i rritjes së normave të interesit të jetë në vend, i cili duhet të çojë në një stabilizim të rritjes ekonomike.

Agjencia ndërkombëtare e energjisë (Iea) dhe organizata e vendeve eksportuese të naftës (Opec) parashikojnë se kërkesa do të rritet në gjysmën e dytë të vitit, veçanërisht në Kinë. Analistët vlerësojnë se Arabia saudite ka nevojë që çmimi i naftës të jetë rreth 90 dollarë për fuçi për të vazhduar me planet e saj ambicioze të shpenzimeve publike që përbëjnë programin e diversifikimit apo mos varjes e zhvillimit ekonomik vetëm nga nafta, “Vizioni 2030”. Aktualisht, më shumë se më parë nafta tregtohet me monedha që janë alternativë ndaj dollarit amerikan dhe niveli i ofertës reale bëhet një faktor që ndikon ndjeshëm në çmimet që janë në rritje, ndaj Riadi nuk ka arsye për të rritur volumin e prodhimit. Nëse projeksionet kryesore të kërkesës realizohen, nafta mund të arrijë një çmim prej 100 dollarë për fuçi, thuhet në analizën më të fundit të portalit të specializuar Oilprice. (koha.mk)

Show More

Related Articles

Back to top button