Lajme

NE DHE EVROPA; NË MES TË SHPRESËS, ILUZIONIT DHE REALITETIT

Kërkesat që dalin nga kushtet e ripërtërira dhe të ashpërsuara për anëtarësim të Ballkanit perëndimor në Bashkësinë evropiane (BE), ndoshta janë indikatorë që tregojnë se intensitet i entuziazmit dhe i shpresave për hyrje në familjen evropiane nuk do të kishte nevojë që të jetë tepër se sa duhet i idealizuar.

Kjo analizë mund të interpretohet përmes një sërë faktorësh të cilat duket se kanë ndikim në dhënien e njëfarë prognoze për afatet dhe perspektivat e anëtarësimit.

Premtimet e njëpasnjëshme të dhëna përmes diskurseve politike të përgjegjësve-akterëve evropian të zgjerimit, fokusohen gati se kryesisht në përcjelljen e mesazheve politike për nevojën e avancimit të reformave të shumta që i presin shtetet kandidate për anëtarësim, duke u përqendruar, me një theks të veçantë, edhe në domosdoshmërinë e ngritjes së shkallës së bashkëpunimit dhe bashkëjetesës rajonale në Ballkanin perëndimor.

Diskurset e shprehura duket se mbajnë ngjyrën e thënieve të kopjuara nga e kaluara e, aq më tepër, ata “pasurohen” me shprehje të reja kërkesash, me prezantime kushtesh akoma më të vështira, sidomos duke u bazuar në rezultatet e zbehura që tregohen në hapësirat ballkanike.

Jo aq e besueshme formula e shpalosur në disa qarqe, sipas së cilës shpresohet që së pari të ndodhë anëtarësimi në BE dhe pastaj të pritet, si pasojë e kësaj, një stabilizim ekonomik i vendit apo një konsolidim marrëdhëniesh në Ballkanin perëndimor.

Ky lloj vlerësimi ngërthen në vehte vetëm një pjesë të së vërtetës, e asgjë më tepër! Në fakt, porosia që vjen nga Evropa, n’a thotë diçka tjetër, e ajo mund të rezymohet kësisoj: “rregulloni së pari disa punë në vendin tuaj, merreni mirë veshë me njëri-tjetrin, e kurse pastaj do të shohim për atë se si do të jetësohet pranimi juaj definitiv në Evropë!”.

Një listë e gjerë faktorësh shoqërojnë reflektimet lidhur me këtë temë: pranimi pa diskutim i ngutshëm i Bullgarisë dhe i Rumanisë (por edhe i disa shteteve të tjera) në gjirin e BE, i ka dhënë saj një shtytje të re, duke e çuar deri në imponimin e një qasje tepër rigoroze dhe në një rishqyrtim të kushteve të anëtarësimit që duhet aplikuar për kandidatët e tanishëm, për shtetet e Ballkanit perëndimor.

Përveç kësaj, shkohet akoma më larg, bile deri në atë masë saqë, në mesin e kushteve për anëtarësim që sot Evropa i kërkon nga këto shtete, hasim me siguri edhe kushte të tilla që nuk janë të përfillura apo të plotësuara edhe në disa nga shtetet që veç janë anëtare të BE. Ndryshe me thënë, kërkohet nga Ballkani perëndimor shumë më tepër se sa është kërkuar në të kaluarën nga dikush tjetër!

Qëndrimet e disa shteteve të ish-bllokut komunist, duket se i kanë “ftohur” disa shtete tjera historikisht dhe tradicionalisht besnike ndaj vlerave të përbashkëta evropiane.

Në fakt, duket se një pjesë e shteteve të anëtarësuara gjatë këtyre dekadave të fundit (Hungaria, Polonia, Rumania, etj.) japin përshtypjen se e vërejnë ndonjëherë BE si një adresë para së gjithash “përfitimi” e jo edhe si një vend ku duhet kultivuar bashkërisht parimet e solidaritetit, të demokracisë dhe kontributit të ndërsjellë.

Qasja e treguar ndaj luftës në Ukrainë dhe mungesa e një politike uniforme, politika e azilit dhe e migracionit, aferat e paradokohshme korruptive duket se i kanë dhënë një grusht të rëndë konsolidimit të BE, qoftë në planin e politikës së brendshme qoftë në atë të jashtme.

Edhe largimi i Britanisë së Madhe nga BE paraqet me siguri një simbol zbehjeje të parimeve dhe vlerave të promovuara në hapësirat e BE. Por, jo vetëm kaq, pasi që edhe në disa shtete të tjera, hasim tendenca të ngjashme me aspirata largimi nga familja evropiane, posaçërisht tek ata që nuk ballafaqohen me telashe madhore të zhvillimit të vendit apo që nuk identifikohen në mënyrë të mjaftueshme me vlerat aktuale dhe perspektivat e BE.

Kuptohet se e gjithë kjo përcjellë pasojat e saj të drejtpërdrejta në fushën e politikës së zgjerimit të BE. Edhe konsolidimi dhe ripërtërija e radhëve në vetë brendësinë e BE është me siguri një proces sfidash permanente, i cili ka me marrë një kohë të gjatë.

Por, u kuptuam se edhe zhvillimi i shumë proceseve në Ballkanin perëndimor ka me marrë shumë kohë. Një dinamikë kjo e proceseve paralele (në BE dhe Ballkanin perëndimor), që sot për sot, vështirë me e ditur atë se kur do të arrijnë që të bashkohen njëra me tjetrën, që të futen në binare të përbashkëta zhvillimi, në kuadër të synimeve për me i takuar të njëjtës familje evropiane.

U kuptua pra se, para integrimit në BE, duhet detyrimisht dhe paraprakisht të kalohet përmes integrimit rajonal, brenda vetë Ballkanit. E nevojshme të ritheksohet kjo pasi që strategjitë dhe premtimet teorike të veprimit, pritet dhe duhet që të materializohen përmes akteve konkrete.

Kjo do të nënkuptonte, në mes tjerash, jo vetëm thellimin e bashkëpunimit në sfera të ndryshme, por edhe mënjanimin e rivaliteteve historike dhe shprehjen e tepruar të ndjenjës së epërsisë të njërit ndaj tjetrit. Luhatjet e disave në mes të BE dhe Rusisë nuk e lehtësojnë problematikën në këtë drejtim!

Kësisoj, nëse përkatësia në BE perceptohet sot si një adresë për dalje nga kriza, për gjetjen e një alternative më të besueshme për perspektivat (sidomos politiko-ekonomike) të shteteve të Ballkanit perëndimor, e gjithë kjo do të dukej e ç’veshur nga pragmatizmi!

Kërkohet diçka tjetër apo edhe e kundërta në krahasim nga ajo që mendohet disa herë, kërkohen reforma të mirëfillta, dhe se kyçja në familjen evropiane, dihet se do t’iu nënshtrohet etapave dhe sfidave të mëtutjeshme që nuk dihet deri kur do të zgjasin !

Fundja, që nga momenti kur ndonjë shtet i Ballkanit perëndimor do t’i plotësonte hipotetikisht kushtet e kërkuara për anëtarësim në BE, nuk përjashtohet mundësia që të flitet pastaj pak më tepër për vlerat e përbashkëta që i promovojmë në Ballkanin tonë, se sa për atë që e vërejmë në Evropën e bashkuar.

Apo pyetja mund të parashtrohet pak më ndryshe; nëse Ballkani perëndimor avancon me një dinamikë sadopak më të shpejtë me reformat e filluara, nëse do t’i përmbushte shumicën nga kushtet tejet të ashpra që i kërkon BE (standarde të një ekonomie të zhvilluar, shtet të qëndrueshëm të së drejtës, etj.), atëherë a do të ishim vallë të sigurt se entuziazmi i integrimit në BE do t’a kishte të njëjtin intensitet, ashtu siç e ka sot?

Ndoshta po, në kuptimin e simbolikës për me qenë anëtar i familjes së madhe evropiane. Mirëpo, nuk besohet se do t’a vërenim Evropën si një oportunitet për me dalë nga kriza jonë, qoftë nga ajo individuale qoftë kolektive!

Aq logjike kjo, pasi që largimi nga kriza që i prekë sferat e ndryshme të jetës sonë, do të nënkuptonte paralelisht edhe plotësim i një sërë kushtesh për anëtarësim në BE.

Dinamika gati se e “eksodit masiv” i shtonë kësaj analize edhe disa pyetje të tjera të cilat sot për sot nuk e kanë aq lehtë t’a gjejnë përgjigjen e tyre.

Se fundja, politika e perspektivës për hyrja në Evropë nuk nënkupton aspak “krijimin e kushteve” për largimin nga vendi, për me kërkuar një jetë më të mirë në ambientet evropiane apo diku tjetër, por, përkundrazi, ajo kërkon së pari krijimin e kushteve në vetë ambientet e Ballkanit, para se të shijohet Evropa!

Lirim Begzati, ekspert juridik, Neuchâtel (Zvicër)

Show More

Related Articles

Back to top button