LajmeMaqedoni

Në seancën e sotme për zjarrin në Spitalin Modular në Tetovë dëshmuan 3 dëshmitarë, seanca e rradhës më 25 prill

Në seancën gjyqësore për zjarrin në Spitalin Modular në Tetovë dëshmuan tre persona, të propozuar nga pala mbrojtëse. Dy nga dëshmitarët ishin roje në Spitalin e Tetovës ndërsa njëra mjeke, e cila kishte punuar brenda Modularit, nga dita e hapjes së tij e deri në ditën kur ndodhi tragjedia. Para trupit gjykues mjekja tha se nuk i kujtohet nëse në Spital Modular kishte aparate kundër zjarrit.

“Unë nuk e kam pasur prioritet të shoh nëse ka aparate kundër zjarrit por nuk më kujtohet nëse ka pasur apo jo. Atë natë kur ndodhi tragjedia kam dhënë deklaratë në gjykatë, nuk mbaj mend nëse deklaratën e dhashë për ndonjë prokuror. Modulari nuk ka pasur përgjegjës konkret, por përgjegjës ka qenë personeli mjekësor i cili ka qenë në ndërrim”, tha Ersele Tresi, dëshmitare.

Ndërkohë dy dëshmitarët tjerë të punësuar si roje në Spitalin e Tetovës thanë se ata kanë vërejtur aparate kundër zjarrit.

“Brenda ditës më ka rastisur të hyjë 4-5 herë në modularin dhe personalisht unë kam parë aparate kundër zjarrit. Mendoj se kishte tre PP aparate. Njërin e kam parë te pritja, njërin te dhoma e infermierëve dhe njërin në depo. Aty ku kanë qëndruar pacientët e shtrirë jo, nuk kam parë aparate kundër zjarrit. Në derën kryesore kishte shenjë “Ndalohet hyrja”. Dera ka qenë e mbyllur me çelës”, u shpreh Bashkim Ibrahimi , dëshmitar.

“Në Spitalin e Tetovës punoj nga viti 2015. Sipas nevojës kam hyrë brenda në modular, madje 5-6 herë në ditë që nga dita kur ai u vendos deri në ditën e zjarrit. Në raste kur ka pasur pacientë të vdekur i kam marrë trupat i kam dërguar në kombe për në varreza. Në pjesën e sipërme të modularit mendoj se kam parë një aparat kundër zjarrit ndërsa në derën e hyrjes shkruante “ Ndalohet Hyrja për personat civil”, theksoi Ismail Sejrani, dëshmitar.

Gjykata njoftoi se seanca e radhës është caktuar për me 25 prill ku dhe do të thuhen fjalët përfundimtare që më pas të shqiptohet vendimi. Të akuzuar për këtë rast janë ish drejtorët e Spitalit, Florin Besimi dhe Artan Etemi dhe mjeku Boban Vuçevski. 

Show More

Related Articles

Back to top button