LajmeMaqedoni

Nënshkruhet Marrëveshja Kolektive, 130 mijë punonjës në sektorin publik do të marrin 10% paga më të larta

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska dhe kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafilov, nënshkruan Marrëveshjen e re të Përgjithshme Kolektive për rritje të qëndrueshme të pagave në sektorin publik.

Sipas Kontratës së Përgjithshme Kolektive, nga shtatori 130 mijë të punësuar në sektorin publik do të kenë rritje të pagave prej 10 për qind, pagesë K-15 deri në fund të vitit në vlerë prej 10 mijë denarë. Në kontratën e përgjithshme kolektive parashikohet që pagesa e K-15 nga viti 2024 të jetë së paku 30 për qind e pagës mesatare. Ndërsa është rënë dakord që metodologjia e re për përllogaritjen e pagave për punonjësit në sektorin publik të nisë nga marsi i vitit 2025.
Trençevska u shpreh e kënaqur që së bashku me sindikatat, punëdhënësit dhe Qeveria, gjegjësisht anëtarët e Këshillit Ekonomiko-Social, sollën një zgjidhje sistematike dhe të qëndrueshme për rritjen e pagave për punëtorët në sektorin publik. Sipas saj, ky është një hap i rëndësishëm në drejtim të avancimit të të drejtave të punës dhe konfirmimi se dialogu social është veçanërisht i rëndësishëm për këtë Qeveri.

“Si Qeveri dhe ministri kompetente për çështjen në fushën e punës, dialogun në shoqëri e kemi ngritur në një nivel më të lartë sepse çështjet e rëndësishme duhet të diskutohen së bashku dhe hapur. Nëpërmjet diskutimeve me partnerët social miratuam metodologjinë e harmonizimit të pensioneve, vendimin për pagën minimale dhe rritjen e vazhdueshme të saj dhe sot zyrtarizuam vendimin për rritjen e pagave për punonjësit në sektorin publik dhe jo vetëm kaq, por gjithashtu një metodologji që siguron rritje të vazhdueshme të pagave. Marrëveshja e përgjithshme kolektive rregullon edhe çështje tjera që janë në drejtim të promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave të punës, duke e vlerësuar punën e punëtorit, tha ministrja Trençevska.

Show More

Related Articles

Back to top button