LajmeRajon

Nuk u miratua me shumicë të cilësuar, Presidenti Begaj kthen ligjin “Për shtetësinë”

Presidenti Bajram Begaj ka kthyer për rishqyrtim ligjin “Për Shtetësinë”. Në argumentin e kreut të shtetit, ligji për nga përmbajtja krijon lehtësira për marrjen e shtetësisë shqiptare, dhe nuk bie në kundërshtim me Kushtetuitën, por katër nga pesë amendamente të ligjit nuk janë miratuar nga Kuvendi me shumicë të cilësuar.

“Për nga përmbajtja dispozitat e reja nuk bien në kundërshtim me dispozita substanciale të Kushtetutës. Dispozitat e ligjit kryesisht krijojnë lehtësira për marrjen e shtetësisë shqiptare, masa dhe lloji i të cilave është në gjykimin sovran të Kuvendit.

Për një ligj për të cilin Kushtetuta ka parashikuar miratimin me shumicë të cilësuar, konkretisht 84 vota, këto amendamente nuk e kanë marrë numrin e kërkuar të votave dhe nuk mund të quhen të miratuara.

katër nga pesë amendamentet e propozuara nga grupi i deputetëve, në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.113/2020 “Për shtetësinë” përcjellë Kryetares së Kuvendit me shkresë nr. 2810 prot., datë 20.9.2023, nuk kanë marrë votat e nevojshme për të krijuar shumicën e cilësuar prej tri të pestave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit”, thuhet në dekretin e presidentit.

Në këtë ligj u propozuan disa ndryshime që synonin lehtësimin e procedurave për marrjen e pasaportës shqiptare nga të rinjtë e talentuar që jetojnë në trevat shqiptare, por jo vetëm.

Çfarë parashikon ligji

Një fëmijë i lindur brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, nga prindër me shtetësi tjetër, të cilët janë rezident të ligjshëm në territorin e Republikës së Shqipërisë, mund të marrë shtetësi shqiptare me pëlqimin e të dy prindërve.

Këto ndryshime ligjore kanë për qëllim që Republika e Shqipërisë kur ka interes kombëtar apo interes në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës, ekonomisë e sportit, të përthithi sa më shumë talente që nuk e kanë mbushur moshën 18 vjeç. Një ndër propozuesit kryesor të ndryshimeve ligjore është Federata Shqiptare e Futbollit. Për këtë arsye, në rastet kur FSHF-ja evidenton talente të spikatura të sportistëve të huaj ose me origjinë Shqiptare (Kosovë, Maqedoni e Veriut, Preshevë, etj), të vendeve të rajonit e më gjerë, lind nevoja e fillimit të procedurave për aplikim të fitimit të shtetësisë shqiptare për këta sportistë të huaj.

Shtetësia shqiptare mund të fitohet nga shtetasi i huaj që ka mbushur moshën 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç kur nuk përbën kërcënim për rendin publik dhe sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë, edhe në rastet kur Republika e Shqipërisë ka interes kombëtar apo interes në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës, ekonomisë e sportit.

Për hartimin e programeve të veçanta, përcaktimin e rregullave specifike të kontrollit të veçantë të sigurisë dhe pastërtisë së figurës në standardet më të larta dhe monitorimin e zbatimit të tyre, krijohet një agjenci shtetërore e posaçme në varësi të ministrit. Organizimi dhe funksionimi i agjencisë miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Kriteret për fitimin e shtetësisë, sipas programeve të veçanta të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, procedurat e aplikimit, rregullat e kryerjes së verifikimeve dhe kontrolleve të nevojshme miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me bashkë propozim të ministrit dhe ministrave përgjegjës sipas fushës së tyre të përgjegjësisë.

Që një shtetas i huaj të mund të aplikoj për fitimin e shtetësisë shqiptare sipas Programeve të Veçanta të Shtetësisë, duhet të plotësoj njëkohësisht tri kritere:

Të ketë mbushur moshën 18 vjeç;

Të mos përbëjë kërcënim për rendin publik dhe sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë;

Republika e Shqipërisë ka interes kombëtar apo interes në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës, ekonomisë e sportit.

Sipas kësaj dispozite këto tre kritere duhet të plotësohen në mënyrë kumulative, pasi mungesa e njërit prej tyre do sillte automatikisht refuzimin e kërkesës për shtetësi.

Show More

Related Articles

Back to top button