LajmeRajon

OJQ-të ftojnë Bërnabiqin të reagojë ndaj gjuhës së urrejtjes së Vulinit ndaj shqiptarëve

Një grup i organizatave joqeveritare dhe individëve nga Beogradi dhe Kosova kanë dënuar gjuhën e urrejtjes së ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandër Vulin, ndaj shqiptarëve.

Si është thënë në deklaratën e përbashkët, këto organizata i kanë bërë thirrje Qeverisë së Serbisë dhe kryeministres Ana Bërnabiq që të reagojnë dhe të dënojnë faktin se Vulini vazhdon të përdorë një emërim fyes për shqiptarët.

Këto organizata kanë deklaruar se Vulini ka përdorur disa herë një emërim fyes më 20 maj, duke folur për shqiptarët dhe se deklarata e tij për media është publikuar edhe në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Gjyqësori i Serbisë, në vitin 2018, përcaktoi se fjala ‘shiptar’ ishte fyese dhe është shënuar si gjuhë urrejtjeje. Zyrtarët publikë që përdorin gjuhën e urrejtjes nuk e kanë vendin në pushtet”, është thënë në deklaratë.

Organizatat joqeveritare kanë theksuar se gjuha e urrejtjes minon përhapjen e vlerave evropiane në shoqëri, sundimin e ligjit dhe funksionimin e një shoqërie demokratike dhe tolerante.

Nënshkruesit e deklaratës kanë deklaruar se shënjestrimi i një grupi të caktuar etnik, përmes gjuhës së urrejtjes së zyrtarëve të lartë, inkurajon diskriminimin, radikalizimin etno-politik dhe potencialisht çon në dhunë.

“Retorika e përdorur nga ministri Vulin në fjalimin e tij është e njëjtë me atë të përdorur nga mediat dhe zyrtarët gjatë viteve ’90, për të dehumanizuar popullatën shqiptare dhe për të nxitur ngacmimet, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe në fund krimet e luftës në Kosovë”, është thënë në deklaratën e organizatave joqeveritare.

Kjo deklaratë e përbashkët është nënshkruar nga organizatat relevante nga Serbia dhe Kosova, si dhe profesoresha e Universitetit të Beogradit, Jelena Lonçar dhe aktivistët për të drejtat e njeriut, Rrahim Salihi, Valon Arifi dhe Vjollca Arifi.

Show More

Related Articles

Back to top button