OKB: Uria dhe qasja në ujë të pijshëm në Gaza, katastrofike!

Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) ka njoftuar se aksesi i civilëve në ujë të pijshëm në Gaza, është në nivele kritike.

Kjo agjenci ka shtuar se katastrofike është edhe uria e cila ka prekur shumicën e popullatës, ndërkohë që në terren janë tashmë vetëm dy qendra të cilët trajtojnë rastet e rënda të kequshqyerjes te fëmijët.

Përditësimi i fundit i situatës në Gaza nga Zyra e OKB-së, flet për vrasjen e 142 palestinezëve dhe plagosjen e 396 të tjerëve në sulmet izraelite ndërmjet të hënës dhe të premtes pasdite.

“Për shkak të mungesës në rritje të sigurisë në Rripin e Gazës, aktualisht nuk ka ekipe ndërkombëtare mjekësore të urgjencës që operojnë në jug të Rafahut ose në veri të territorit palestinez”, raporton OCHA, ndërkohë që mungesat e vazhdueshme të karburantit për shkak të bllokadës kufitare të Izraelit kërcënojnë funksionimin e infrastrukturës dhe pajisjeve jetike mjekësore.