LajmeMaqedoni

Opozita kërkon rritjen e rrogave dhe pensioneve

Partia Alternativa në opozitë dhe kreu i Kumanovës, Maksim Dimitrievski i cili paralajmëron parti politike, kanë kërkuar rritjen e rrogave dhe kanë mbështetur kërkesat e sindikalistëve, njofton Flaka

“Rritja e rrogave të funksionarëve në kohën e gabuar dhe në rrethanat e krizës ekonomike, si dhe rritjes së inflacionit, ka efekte afatgjata ndër grupet e ndryshme shoqërore. Kur u rriten rrogat për 78% të politikanëve profesionistë, atëherë nuk duhet të na habisë fakti që sindikatat kërcënojnë të protestojnë nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre. Thjesht, punonjësit në shëndetësi, arsim dhe polici nuk kanë detyrim moral të dëgjojnë shpjegime nëse për krizën dhe për problemet ekonomike nuk kanë sens pikërisht ata që paguhen për t’i zgjidhur problemet”, thonë nga Alternativa e Afrim Gashit.

Kjo parti konsideron se sindikatat kanë të drejtën e plotë për ta mbrojtur dinjitetin e punonjësve që i përfaqësojnë.

“Kur Fatmir Besimi ishte sindikalist, punonjësve në Ministrinë e Financave ua rriste rrogat për 30 për qind që të mos largoheshin, tani le të gjejë financa në buxhet për t’i përmbushur edhe kërkesat punonjësve të shëndetësisë, arsimit dhe policisë. Edhe në këta resorë ndjehet deficit serioz i kuadrit, kjo si pasojë e daljeve në sektorin privat dhe shpërnguljes eksodike jashtë vendit. Alternativa konsideron se mjekët dhe infermieret në shëndetësinë publike janë element shumë i rëndësishëm në ofrimin e shërbimeve mjekësore për të siguruarit. Puna e tyre duhet të vlerësohet në mënyrë dinjitoze”, thonë nga Alternativa opozitare.

Edhe kreu i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski kërkon rritjen e pensioneve.

Sipas tij, institucionet duhet t’i informojnë qytetarët se sa mjete disponon Fondi për Sigurim Pensional.

“Institucionet kompetente duhet të tregojnë në mënyrë transparente se sa mjete disponon Fondi Pensional. Është e palejuar që për elitën politike të ketë rritje të pagave për 78%, ndërsa pensionistët 6%. Nëse ndërtojmë shtet të së drejtës atëherë është e drejtë me përqindje të barabartë të ketë rritje të të hyrave”, u shpreh Dimitrievski.

Ai kërkoi që të ulen pagat për funksionarët dhe kjo të shpërndahet për të tjerët, ndërsa për kërkesat e pensionistëve të cilët kërkojnë rritje lineare të pensioneve, theksoi se pensionistët kanë qenë themeli financiar në familje, ndërsa sot kanë sa për ekzistencë. 

Show More

Related Articles

Back to top button