LajmeRajon

Osmani e quan “fake news” draftin gjerman

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se drafti gjerman për asociacionin i prezantuar të enjten në disa media është lajm i rremë dhe se ai nuk ekziston e as nuk do të ekzistojë.

“Nuk kemi në tavolinë ndonjë draft lidhur me Asociacionin. Është një fake news”, tha presidentja të premten në një konferencë për media, në prag të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Sipas saj, Gjermania dhe aleatët e tjerë nuk do të kërkojnë nga Kosova asgjë që është në kundërshtim me Kushtetutën e saj. Këtë presidentja thotë se e ka rikonfirmuar edhe sekretari amerikan Antony Blinken.

Osmani foli edhe për iniciativën franko-gjermane, e cila sipas saj, ka për qëllim intensifikimin e dialogut.

Ajo theksoi se do të ketë takime në javët në vijim nga përfaqësuesit franko-gjermanë për të dhënë detje rreth iniciativës. Ajo tha se qëllimi i tyre është i mirë. Megjithatë, presidentja tha se në asnjë mënyrë nuk do të tolerojnë të cënohet sovraniteti i Kosovës.

Në konferencë, Osmani tha se pret që vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovës të merret më së largu deri në dhjetor.

Ajo ritheksoi se ky vendim do të duhej të merrej gjatë Presidencës çeke.

Osmani është pyetur edhe rreth kërkesës së të dërguarit amerikan të Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, që riregjistrimi i makinave me targa serbe në RKS të shtyhet për 10 muaj.

“Është një temë që kemi duke e diskutuar që shumë muaj dhe ajo që e kam thënë në takim me Escobar është që kjo në esencë është çështje e sundimit të ligjit”, u shpreh presidentja, duke shtuar se mbi 90 për qind të serbëve që jetojnë në Kosovë, tashmë i kanë targat RKS, pra e respektojnë ligjin dhe e respektojnë parimin e barazisë para ligjit për të gjithë, pavarësisht etnisë.

Osmani tha se shtyrja e vazhdueshme nënkupton se po tolerohen kërcënime të bandave kriminale në raport me serbët lokalë./21Media/

Show More

Related Articles

Back to top button