LajmeRajon

Osmani i përgjigjet Serbisë: “Në territorin e Republikës së Kosovës kurrë më nuk do të ketë policë dhe ushtarë të Serbisë! Ëndrra hegjemoniste e Serbisë nuk do të jetësohet kurrë!”

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkovic, i cili tha se Serbia “do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë” në Kosovë.

Një vendim i tillë, sipas tij, do të merrej në përputhje me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara, përkatësisht nenin 4 dhe nenin 6 të aneksit 2. Duke i konsideruar këto deklarata si kërcënime të hapura për agresion policor dhe ushtarak, Osmani ia dha përgjigjen: Në Kosovë, tha ajo përmes një postimi në FB, nuk do të ketë më kurrë policë e ushtarë të Serbisë.

“Kërcënimi i hapur për agresion policor e ushtarak nga ana e Serbisë dëshmon se në atë shtet vazhdon mendësia hegjemoniste. Kjo duhet të refuzohet e kundërshtohet qartë nga e gjithë bota demokratike, e cila i dha goditjen më të fuqishme kësaj mendësie pikërisht në vitin 1999. Plagosja e mbrëmshme e një pjesëtari të Policisë së Kosovës është veprim kriminal dhe i orientuar kundër rendit kushtetues e sovranitetit të Kosovës si dhe kundër veprimeve për sundim të rendit e ligjit. Autorët e këtyre krimeve, urgjentisht të sillen para drejtësisë, ndërsa institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë menjëherë. Në territorin e Republikës së Kosovës kurrë më nuk do të ketë policë dhe ushtarë të Serbisë! Ëndrra hegjemoniste e Serbisë nuk do të jetësohet kurrë!“- shkroi Osmani në rrjetet sociale.

Show More

Related Articles

Back to top button