LajmeRajon

Osmani nuk e dekreton Isufajn për kryeprokuror/ Mora mesazhe se nëse s’e dekretoj Isufajn do të më bëjnë dosje e do të m’i lidhin duart

Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se në kohën sa ka pritur që shqyrtimet dhe ankesat sa i përket e çështjes së procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit të përfundojnë në gjykata, ka marr mesazhe dhe është kërcënuar nga persona të ndryshëm, se nëse s’e dekreton Blerim Isufajn “do t’i bëjnë dosje e do të ja lidhin duart”.

“Në anën tjetër, unë mund t’ju them se ka pasur edhe presione të tjera të paligjshme. Ta zëmë njerëz që dërgonin mesazhe se në qoftë se nuk e dekreton dhe nuk e nënshkruan do të bëjmë dosje, do të ngrisim aktakuza, do t’i lidhim duart, etj etj. Por ata duhet ta dinë që këto më shumë se dy dekada që jam në politikë, presionet asnjëherë nuk kanë bërë punë, e nuk do të bëjnë as tani”, ka deklaruar Osmani, në konferencën në të cilën ka njoftuar se nuk do ta dekretojë Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit.

Ajo ka thënë se vazhdimisht e ka njoftuar Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) që vlerësimin për këtë proces do ta bëjë pasi që të përfundojë shqyrtimi në gjykata dhe se edhe pas kësaj ka marr letra nga KPK-ja.

“Tani çdo letër që KPK-ja dërgonte, përkundër faktit që i dinte të gjitha arsyet se nuk po merrej vendimi, ka qenë presion i paligjshëm dhe jo kushtetues, dhe në kundërshtim me çdo praktikë të mëhershme të komunikimit ndërinstitucional”, është shprehur Osmani.

Osmani ka thënë se ajo ishte kërcënuar nga zyrtarë të institucioneve të drejtësisë. Ka thënë se në një shtet demokratik zyrtarët e institucioneve të drejtësisë nuk mund të marrin vendime duke kërcënuar kreun e shtetit.

Ajo ka theskuar se askush nuk mund të marrë nënshkrime me presion. Osmani ka thënë se nuk mund t’i deponojë kërcënimet te personat që e kanë kërcënuar. Ka shtuar se nuk do të ndikohet nga askush dhe do të punojë vetëm me ligjet e Kushtetutës së Kosovës.

“Nga viti ‘99 jam në politikë dhe asnjëherë nuk kam dalë në publik për të treguar që jam kërcënuar. Kjo është hera e parë. Unë nuk dal dhe flas për gjëra të tilla pa dëshmi konkrete dhe pa ardhur vërtetë ato. Ato i përmenda që të jenë mesazh që kështu nuk merren vendimet”, ka thënë Osmani.

Një vit e gjysmë pasi Këshilli Prokurorial e zgjodhi Blerim Isufajn për kryeprokuror të ardhshëm të shtetit, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka njoftuar se nuk do ta dekretojë këtë emër. Në një konferencë për media të martën, Osmani ka thënë se ka pasur “10 shkelje në procedurën e përzgjedhjes” dhe se “është e obliguar, duke pasur parasysh shkeljet, të mos e bëjë dekretimin” e Isufajt për kryeprokuror.

Ajo ka thënë se i ka dërguar të martën KPK-së vlerësimin e procedurave të ndjekura nga ky institucion një vit e gjysmë më parë në procesin e përzgjedhjes. Ka shtuar se ka vonuar në vendim për shkak të kontestimit të procesit nëpër gjykata. Por pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që e shpalli të pasafatshëm procesin e kontestimit, Osmani ka thënë se duhet të sqarohet se “asnjë gjykatë s’i ka trajtuar ankesat nga aspekti përmbajtjesor”.

Osmani ka thënë se Kryeprokurori i Shtetit si institucion ka funksionuar me ushtrues detyre.

Procesin e përzgjedhjes së Isufajt kryeprokuror, Osmani e ka cilësuar me shumë shkelje. Ka thënë se ka pasur shmangie nga kriteret ligjore, ka pasur mohim të mundësisë për mjet ankimor efektiv brenda KPK-së, ka pasur shkelje të procedurave të reputacionit profesional të kandidatëve, shkelje të procedurave të vlerësimit të integritetit të kandidatëve, vlerësimit të konceptdokumentit, cenim të barazisë e shkelje të meritokracisë.

“Përgjegjësia ime për garantimin e funksionimit kushtetues të institucioneve më obligon që ndaj një procesi të tillë që cenon rëndë parimet dhe vlerat fondamentale të Kushtetutës sonë, sikur edhe prodhon padrejtësi konkrete e diskriminim, të mos rri duarkryq. Prandaj sot e kam njoftuar KPK-në lidhur me këtë vlerësim të procedurës, që duke pasur parasysh të gjitha shkeljet e përmendura më obligon që të mos bëj dekretimin e kandidatit të propozuar për kryeprokuror”, ka thënë ajo.

Show More

Related Articles

Back to top button