LajmeMaqedoni

PAS NDARJES NË BDI! Opozita merr krah për zgjedhjet e ardhshme

Krijimi i lëvizjes së re politike të paralajmëruar nga Izet Mexhiti, ish nënkryetar I BDI-së, do të bëjë akoma më interesante skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut për shumë arsye, thonë njohësit e proceseve politike në vend. Sipas tyre, kjo lëvizje do t’i shkaktojë problem BDI-së, për faktin se kanë qenë pjesë e saj për 20 vite dhe posedojnë informacione jo vetëm për subjektin, por edhe për të gjithë zyrtarët që kanë qenë në postet më të larta drejtuese. Analisti politik, Berat Azizi thotë se nëse për dështimet deri tani BDI është akuzuar nga opozita, tani ajo po akuzohet nga vetë struktura e saj që deri dje kanë qenë në një tavolinë.
“Në anën tjetër tendencat e lëvizjes së re për të krijuar një bllok të përbashkët opozitar janë të pritshme nga opinion dhe nga realiteti politik në vend. Nëse kjo nismë e Mexhtit, bashkohet me Lëvizjen BESA dhe me Alternativën mendoj se do t’i shkaktojnë problem BDI-së, për vetë faktin bashkimi rreth një blloku opozitar do të merr pas vete edhe një pjesë të elektoratit neutral ose që ka dilema të votojë apo të mos votojë. Fronti opozitar duhet të krijojë një platformë politike dhe një program real që do të mund të jetë i realizueshëm në vend, një program ekonomik që do të prek shtresën e varfër dhe atë të mesme në vend dhe një program arsimor ku do të përfshihen të gjitha nivelet. Mirëpo ajo që është më specifike në opinion ka të bëjë me përzgjedhjen e figurave të cilat do t’i prijnë frontit opozitar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, ka deklaruar për KOHA, Berat Azizi, analist.
Ndryshe, pas njoftimit të Izet Mexhitit se me formimin e Lëvizjes së Re do të punojnë në formimin e frontit opozitar shqiptar, kanë filluar edhe aktivitetet fillestare për bashkëpunim me Lëvizjen BESA dhe Alternativën. Deputeti i Fadil Zendeli thotë se ka shumë hapësirë për krijimin e frontit opozitar shqiptar, i cili do t‘i bënte ballë të gjitha skandaleve si dhe dyshimeve aktuale për punë joligjore të pushtetit. “Ka një hapësirë jashtëzakonisht të mirë, ka një klimë politike jashtëzakonisht të mirë që ky grupim opozitar ta kontestojë politikën e Qeverisë, të krijojë politika të reja. Me një fjalë të hapë shpresa të reja për shqiptarët sepse në fund të fundit ndryshimi në skenën politike shqiptare ndryshimi është i pakontestueshëm dhe shumë shpejtë do të vjen”, deklaroi Fadil Zendeli nga Lëvizja BESA.
“Mbështetje e parezervë nga të gjitha degët për politikat e partisë”, kështu nis njoftimi i partisë opozitare Alternativa, pas mbajtjes së mbledhjes së udhëheqësisë, i cili vjen pasi ditë më parë dega në Tetovë publikisht shprehu pakënaqësitë dhe vërejtjet nga udhëheqësia e partisë në përmbushjen e detyrave partiake që nga mbajtja e kongresit të fundit. Nga atje thonë se Alternativa është e palëkundur për formimin e një fronti opozitar. “Fillimisht, kryetari Gashi i njoftoi kryetarët e degëve të Alternativës me aktualitetin politik dhe pozicionin e Alternativës kundrejt ndryshimeve kushtetuese, dhe procesit eurointegrues dhe mundësisë për zgjedhje, ndërsa në veçanti u ndal në pjesën e bashkëpunimit tashmë të ngritur me Lëvizjen Besa dhe lëvizjen e re politike që ka dalë nga BDI-ja. Në këtë kontekst, kryetarët e degëve shprehën interes për modalitetet e këtij bashkëpunimi, ndërsa të gjithë njëzëri i dhanë mbështetje kryetarit Afrim Gashi dhe organeve drejtuese të partisë në politikat partiake që zhvillohen në ngjeshjen e koalicionit opozitar, por edhe në drejtim të avancimit të programit politik të Alternativës, të të drejtave etnike shqiptare, integrimit në BE dhe veçmas luftës kundër korrupsionit”, thuhet mes tjerash në kumtesën e AAA-së.
Ndërkaq, ish-nënkryetari i BDI-së Izet Mexhiti njoftoi se janë shterur të gjitha mundësitë që të kthehet në partinë e Ali Ahmetit për shkak se, siç theksoi ai, atje nuk dëgjohet mendimi ndryshe. Mexhiti tha se më 13 gusht zyrtarisht do të promovojnë formimin e Lëvizjes së Re Demokratike e cila do të bashkëpunojë me Lëvizjen BESA dhe Alternativën si front opozitar. (koha.mk)

Show More

Related Articles

Back to top button