Pas vizitës në Kosovë, Lajçak diskuton për dialogun me Vuçiqin dhe Gjuriqin

I dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak pas vizitës në Kosovë ka vazhduar për në Beograd.

Lajçak aty është takuar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Makro Gjuriq me të cilët ka diskutuar për procesin e dialogut.

“Në Beograd pata një diskutim të hapur me presidentin Aleksandar Vuçiq mbi gjendjen aktuale të lojës në Dialog. Ne ramë dakord për hapat e ardhshëm për periudhën e ardhshme”, ka shkruar Lajçak në një postim në “X”.

Për dialogun ka folur edhe me Gjuriqin.

“Në Beograd pata rastin të takohem edhe me ministrin e jashtëm të sapoemëruar Marko Gjuriq. Ne diskutuam për dialogun dhe procesin e integrimit të Serbisë në BE. I urova suksese në detyrën e re”, ka shkruar Lajçak.

Lajçak, gjatë një vizite të paparalajmëruar në Prishtinë, më 18 qershor, tha se Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin hapa për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, duke kujtuar se qasja në fondet e BE-së varet prej saj. /Telegrafi/