BotaLajme

Pejxherët që shpërthyen në Liban dhe Siri janë të prodhuar në Hungari

Kompania tajvaneze Gold Apollo ka thënë se ka autorizuar përdorimin e markës së saj në pejxherët që shpërthyen në Liban dhe në Siri, por se ato janë prodhuar nga një kompani tjetër, me bazë në Budapest. Pejxherët ishin prodhuar nga BAC Consulting KFT, me bazë në kryeqendrën e Hungarisë, sipas një komunikate të lëshuar nga Gold Apollo. Kreu i saj u tha gazetarëve se kompania e tij ka pasur marrëveshje licencimi me BAC për tre vjetët e kaluar, por nuk ka ofruar dëshmi të kontratës.

“Kompania BAC ka bashkëpunuar me ne dhe përfaqëson shumë nga produktet tona për rreth tre vjet. Ata gjithashtu donin të bënin pejxherë dhe pyetën nëse mund të përdornin emrin e markës së kompanisë sonë. Çdo pejxher na paguan tarifën e emrit të markës dhe ata projektuan vetë”. Jam 100% i sigurt se pejxherët që shpërthyen nuk janë prodhimi i ynë”, deklaroi Hsu Ching Kuang, Gold Apollo.

Pejxherët, pajisje të telekomunikimit me valë, të përdorur nga grupi militant Hezbollah, shpërthyen pothuajse në të njëjtën kohë një natë më parë në Liban dhe në Siri, duke vrarë të paktën nëntë persona, përfshirë një vajzë 8 vjeçe, dhe duke plagosur rreth 3.000 njerëz. Teksa njerëzit po blinin në dyqane, po rrinin në kafene apo po ngisnin automjetet e tyre, pejxherët në duart apo në xhepat e tyre filluan të nxehen dhe pastaj shpërthyen, duke shkaktuar skena të përgjakshme dhe duke nxitur panik mes kalimtarëve. Hezbollahu dhe qeveria libaneze kanë fajësuar Izraelin për atë që u duk të ketë qenë një sulm i sofistikuar nga largësia. Shumë prej viktimave u tha se janë pjesëtarë të Hezbollahut, por nuk u bë e qartë nëse pejxherët që shpërthyen ishin edhe në duar të joanëtarëve. Ndërkohë zyrtarët ushtarakë amerikanë thanë se nuk ka përfshirje të SHBA-së në shpërthimet e pejxherëve në Liban dhe Siri.

“Nuk kam asnjë detaj për të dhënë mbi raportet e shpërthimit të pejxherëve. Mund t’ju them se SHBA-ja nuk është fare e përfshirë në këtë. Është diçka që ne po monitorojmë”, tha Pat Ryder, sekretar i shtypit i Pentagonit.

Shpërthimet ndodhën kryesisht në zonat ku grupi ka prani të madhe, veçanërisht në një periferi jugore të Bejrutit dhe në rajonin Beka në lindje të Libanit, si dhe në Damask. Hezbollahu, i cili akuzon Izraelin si përgjegjës për shpërthimet tha sot përmes një komunikate, se do të vazhdojë kryerjen e sulmeve të zakonshme ndaj Izraelit “sikurse në ditët e fundit”, si pjesë e atij që e ka përshkruar si front mbështetës për aleatin e tij, Hamasin dhe për palestinezët në Gazë. Hezbollahu nisi lëshimin e raketave drejt Izraelit më 8 tetor, një ditë pasi një sulm vdekjeprurës i udhëhequr nga Hamasi në Izraelin jugor nxiti një kundërofensivë masive izraelite dhe luftën e vazhdueshme në Gazë. Që atëherë, Hezbollahu dhe forcat izraelite kanë shkëmbyer sulme pothuajse çdo ditë, të cilat kanë shkaktuar vdekjen e qindra personave në Liban dhe të dhjetëra të tjerëve në Izrael, si dhe kanë çuar në zhvendosjen e dhjetëra mijëra njerëz në të dyja anët e kufirit. /Alsat.mk

 

Show More

Related Articles

Back to top button