LajmeMaqedoni

Përplasje mafiozësh në hapësira publike/ Spasovski: Siguria e qytetarëve nuk është e rrezikuar

Ora 15 e së martës. Në qendrën më të madhe tregtare në vend “East Gate Mall”, në kohë kur kishte fluks njerëzish, u gjuaj me armë, ku u plagos Rade Trajkovski, personazh i njohur për botën e mafies me nofkën “Shtekli”. Bashkë me të u plagos edhe shoqëruesi.

Se bëhet fjalë për përplasje mes grupeve kriminale e konfirmon edhe ministri i brendshëm Oliver Spasovski.

“Se bëhet fjalë për pëplasje kriminale, bëhet fjalë për përplasje kriminale. Saktë dihet edhe prapavija e  personit që është gjuajtur dhe konfliktet që i kanë”, pohoi Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm .

Po ku është siguria publike, kur ngjarje të këtilla ndodhin në mes të ditës, në hapësira publike?!

Kjo nuk është hera e parë që “Shtekli” i shpëton vdekjes. Në shënjestër ishte edhe gjatë verës, në po të njëjtën qendër tregtare, në parking.

Edhe në 2019-tën pati pasur një përplasje mes grupeve në “Aleksandar Palace”.

Ministri i Brendshëm Spasovski konsideron se siguria e qytetarëve nuk është e rrezikuar me këtë ngjarje, edhe pse e pranon se aktivitete kriminale ndodhin çdo ditë.

“Gjithsesi se siguria e qytetarëve në këtë pjesë nuk është e rrezikuar, shërbimet policore janë vazhdimisht në teren, jo vetëm tani por gjithë periudhën e kaluar. Sa i përket incidentit, që dje në mënyrë aktive po punohet për formimin e një shtabi të posaçëm në SPB Shkup, janë përfshirë edhe policia kriminalistike, forenzika, reparti për krim të organizuar e kështu me radhë. Të gjithë së bashku mbledhin dëshmi dhe informacione me Prokurorinë Publike me qëllim që të vërtetohen faktet që të zbulohen kryerësi dhe motivet e ngjarjes”, tha Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Brendshme.

Spasovski theksoi se MPB vazhdimisht po diskuton zgjidhje të mundshme për qendrat tregtare, që të njëjtat të ndërmarrin masa për mbrojtje. Një ndër masat është vendosja e skanerëve në hyrje të objekteve.

Për incidentin në fjalë, reagim erdhi edhe nga partia opozitare VMRO-DPMNE. Deputeti i kësaj partie Dragan Kovaçki, thotë se Ministria e Brendshme po përjeton dështim total në krye me Spasovskin, për shkak se nuk arrijnë të gjejnë dorasin edhe pse ngjarja ka ndodhur në një objekt përplot kamera.

“Ngjarja ndodhë në qendër tregtare, ku ka numër të madh të kamerave dhe kalimtarë të cilët ishin në afërsi të ngjarjes e sulmuesi ende nuk është gjetur dhe privuar nga liria. MPB nën udhëheqjen e Spasovskit është aq e paaftë që nuk mund të zbardhë ngjarje që ka ndodhur në qendër të kryqytetit, ku ekzistojnë shumë mundësi për identifikim dhe lokim. MPB e udhëhequr nga Oliver Spasovski po përjeton fiasko të plotë”, deklaroi dragan kovaçki – deputet i VMRO-DPMNE-së.

Në lidhje me incidentin, MPB dje publikoi foto të personit që shtiu ndaj dy të plagosurve dhe u bëri thirrje qytetarëve se nëse e vërejnë këtë person, kanë ndonjë njohuri për të apo informacione të dobishme që mund të ndihmojnë në hetimin që SPB Shkup i udhëheq në koordinim me Prokurorin Publik, të lajmërohen në stacionin më të afërt policor ose lajmëroni në numrat e telefonit 192 ose 112.

Show More

Related Articles

Back to top button