LajmeRajon

Petkoviq: Kurti po përgatit një plan djallëzor për hakmarrje ndaj popullit serb në Kosovë

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se vendimi i përfaqësuesve të Listës Serbe për të bërë verifikimin teknik të mandateve të tyre sot në Kuvendin e Kosovës, në asnjë mënyrë nuk nënkupton kthimin e Listës Serbe në institucionet e Prishtinës.

Petkoviq pretendon se betimi i deputetëve të rinj të Listës Serbe u bë për ta parandaluar një plan djallëzor të kryeministrit Albin Kurti.

“Gjithçka mbetet ashtu siç kanë thënë qartë dhe me zë të lartë serbët në konkluzionet e 5 nëntorit – nuk ka kthim në institucionet e Prishtinës derisa të tërhiqet vendimi i kundërligjshëm i Prishtinës për riregjistrim dhe të formohet Asociacioni. Dua të jem absolutisht i qartë, arsyeja e verifikimit të këtyre mandateve nga përfaqësuesit e Listës Serbe është vetëm se ne kemi marrë informacionet e fundit se Kurti po përgatit një plan djallëzor të hakmarrjes ndaj popullit serb në Kosovë”, ka thënë Petkoviq.

Sipas tij, plani i Kurtit ka qenë që vendet e garantuara për përfaqësuesit e Listës Serbe të plotësohen me ata serbë që mbështesin Prishtinën dhe Kurtin, jo Beogradin dhe jo popullin serb në Kosovë.

“Po flasim për listat e Rashiqit, Petkoviqit dhe Rada Trajkoviqit. Bëhet fjalë për parti politike absolutisht të vogla, që pothuajse nuk ekzistojnë në Kosovë, për të cilat në zgjedhjet e fundit votuan diku ndërmjet 0.17 dhe 0.05 për qind e popullit serb në Kosovë, po flasim për përfaqësues të partive politike që janë në nivel të gabimeve statistikore”, thotë Petkoviq.

Petkoviq ka shtuar se për të parandaluar atë skenar është bërë verifikimi teknik i mandatit nga përfaqësuesit e Listës Serbe.

“Deputetët e Listës Serbe, të cilët kanë verifikuar mandatet dhe kanë dalë menjëherë nga Kuvendi, nuk do të kthehen në të, kjo është bërë ekskluzivisht për të mbajtur ato mandate që Kurti të mos fillojë me planin djallëzor për ndryshimin e të ashtuquajturës Kushtetutë të Kosovës, e cila garanton disa të drejta. Para së gjithash, ai do të fillonte menjëherë ndryshimin e të ashtuquajturit neni 144, i cili i mundëson komunitetit serb, përkatësisht Listës Serbe, e cila deri më tani ka qenë në Kuvend, ta pengojë miratimin të ligjeve antiserbe”, shtoi Petkoviq.

Deputetët e rinj të Listës Serbe u betuan sot në seancën e Kuvendit të Kosovës. Menjëherë pas betimit, ata lëshuan sallën.

Show More

Related Articles

Back to top button