BotaLajme

Policia austriake ka arrestuar edhe një person lidhur me tentimet për sulme terroriste në Vjenë

Është arrestuar edhe një person për lidhje me tentimin për sulme terroriste në Vjenë që ishin planifikuar gjatë koncerteve të këngëtares amerikane Tejllor Svift, njoftuan autoritetet austriake, shkruan Alsat.

Bëhet fjalë për një 18-vjeçar nga Iraku i cili kohët e fundit i është bashkuar Shtetit Islamik.

“Është arrestuar një djalë 18-vjeçar nga Iraku. Ai ka qenë në kontakt me autorin kryesor, por nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me planet për sulm. Por, siç arritëm të mësojmë, ai ka dhënë betimin për besnikëri ndaj Shtetit Islamik më 6 gusht”, tha Gerhard Karner, ministër i Punëve të Brendshme i Austrisë.

18-vjeçari është personi i tretë i arrestuar në lidhje me organizimin e këtyre sulmeve terroriste, pasi një ditë më parë policia austriake arrestoi dy persona, një 19-vjeçar me prejardhje nga Maqedonia e Veriut, si dhe një 17-vjeçar që ka punuar në stadiumin ku duhej të mbahej koncerti. Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar për rrezik në rritje të terrorizmit të shkaktuar nga dega afgane e grupit terrorist Shteti Islamik.

“Për fat të keq, dy rreziqe të identifikuara në raportet e viteve të fundit janë bërë evidente. E para është rreziku që ISIS-K, dega e Shtetit Islamik në Afganistan, të kryejë sulme terroriste jashtë vendit. Rreziku i dytë, i cili u materializua në periudhën raportuese,  lidhet me riaktivizimin e celulës së grupit terrorist”, thonë nga Kombet e Bashkuara.

Ndërkohë autoritetet austriake tashmë i kanë kërkuar Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë së Veriut të kontrollojë 19-vjeçarin me prejardhje nga Maqedonia e Veriut.

Megjithëse disa media raportuan se Beran Aliji ishte me origjinë nga Gostivari, policia sot nuk donte të zbulonte më shumë detaje rreth këtij personi ose të konfirmonte identitetin e tij, duke theksuar se ky informacion është konfidencial dhe nuk do të zbulohet gjatë kontrolleve.

Policia austriake njoftoi një ditë më parë se personi i arrestuar me prejardhje nga Maqedonia e Veriut ka pranuar veprën, ndërsa qëllimi i tij ka qenë që me makinë të futej në turmën e njerëzve të mbledhur para koncertit dhe më pas të përdorte hanxharë dhe thika për të vrarë sa më shumë njerëz që të jetë e mundur.

Në çdo koncert të Tejllor Svift pritej të marrin pjesë më shumë se 60 mijë, si dhe 20.000 të tjerë para stadiumit për të ndjekur paraqitjet e saj./ Alsat.mk

 

 

Show More

Related Articles

Back to top button