LajmeRajon

Presidenti polak Duda: Lëvizja turistike me Shqipërinë do të rritet, vend i mrekullueshëm

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dhe Presidenti i Republikës së Polonisë, Andrzej Duda kanë zhvilluar një konferencë të përbashkët për mediat.

Gjatë fjalës së tij, presidenti polak, Duda ka evidentuar disa nga çështjet kryesore me të cilat lidhet vizita e tij në Shqipëri. Presidenti polak, Duda u shpreh se pika kyçe është pjesëmarrja e përbashkët në forumin ekonomik polako-shqiptar.

Mes të tjerash, presidenti Duda vlerësoi turizmin në Shqipëri teksa shtoi se gjithnjë e më shumë turistë do të vizitojnë bukuritë që ofron vendi ynë.

Andrzej Duda: Një nga pikat kryesore të vizitës time është pjesëmarrja jonë e përbashkët në forumin ekonomik polako-shqiptar. Kanë ardhur bashkë me mua sipërmarrës polakë që do të paraqesin ofertat e tyre. Efekt i këtyre takimeve do të jenë kontratat e reja, një rritje e shkëmbimit tonë tregtar. Ajo është rritur me 60 për qind në 2022-shin. Duhet të jemi të qetë për zhvillimin e këtyre marrëdhënieve. Kemi një potencial të jashtëzakonshëm, bëhet fjalë për 200 milionë Euro ky shkëmbim tregtar mes vendeve tona. Do të jetë më e madhe. Do të jetë koha kur duke u bërë anëtare e BE, Shqipëria do të forcojë marrëdhëniet me Poloninë. Biseduam që jam i bindur se Shqipëria do të jetë anëtare e iniciativës së “3 Deteve”, prandaj ne që sot kemi shprehur dëshirën që të bashkëpunojmë me anëtarët e “3 Deteve”.

Gëzohemi që lëvizja turistike po rritet midis Polonisë dhe Shqipërisë. Gjithnjë e më shumë turistë polakë vijnë të shijojnë vlerat që ofron Shqipëria, bregdet i mrekullueshëm, vende shumë të bukura dhe një natyrë e mrekullueshme. Ka shumë monumente historike dhe kulture. E kam siguruar presidentin që lëvizja turistike me Shqipërinë që sot është në nivelin 200 mijë turistë vitin e kaluar, me siguri vitet e ardhshme do të rritet. Shqipëria është një vend shumë tërheqës. Këtu ka shumë vende të mrekullueshme për të vizituar që të lënë pa fjalë./tvklan.al

Show More

Related Articles

Back to top button