LajmeMaqedoni

Pritje të gjata për dokumentet me emrin e ri të shtetit

“Ju lutem prisni! Të gjithë operatorët janë të zënë”. Kjo është porosia që mori ekipi i Radios Evropa e Lirë pas dhjetëra përpjekjesh për të caktuar termin për ndryshimin e dokumenteve personale – letërnjoftimin, pasaportën, patentë-shoferin – me emrin e ri të shtetit, Republika e Maqedonisë së Veriut.

Termin të lirë për nxjerrjen e këtyre dokumenteve do të ketë vetëm pas gjysmës së muajit tetor.

Të gjithë shtetasit maqedonas duhet të ndryshojnë dokumentet personale deri më 13 shkurt të vitit 2024. Pas kësaj date, dokumentet aktuale – pra ato me emërtimin Republika e Maqedonisë – nuk do të jenë të vlefshme, pavarësisht nëse ende kanë afat.

Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar më 17 korrik 2018, midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, që i dha fund mospajtimeve të kahmotshme mes dy shteteve.

“Dokumentet që përmbajnë emrin e shtetit ‘Republika e Maqedonisë’ do të jenë të pavlefshme pavarësisht nëse nuk u ka skaduar afati i përdorimit”, bëhet e ditur nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut.

Nga ky institucion thanë se kjo vlen edhe për pasaportat dhe rrjedhimisht pas 13 shkurtit, shtetasit maqedonas nuk do të mund të udhëtojnë jashtë vendit, nëse pasaporta e tyre ende ka emërimin “Republika e Maqedonisë”.

Një muaj pritje për të caktuar termin

Qytetarët janë ankuar se procesi i ndërrimit të dokumenteve personale po ua rrit shpenzimet. Disa prej tyre kanë shprehur indinjatë se pse duhet të ndryshojnë këto dokumente, edhe pse ato janë ende të vlefshme.

Çmimi i nxjerrjes së pasaportës së re për personat deri në 27 vjeç është 1.500 denarë (24 euro), ndërkaq mbi 27 vjeç është 2.000 (32 euro). Për letërnjoftim, qytetarët duhet të paguajnë 310 denarë (5 euro), ndërkaq për patentë-shofer, çmimi është 390 denarë (6 euro).

Në bazë të këtyre çmimeve, nxjerrja e të gjitha këtyre dokumenteve për një person kushton 43 euro. Ndërkaq, për një familje katëranëtarëshe, sigurimi i këtyre dokumenteve kushton 173 euro, apo 50 për qind e vlerës së pagës minimale në shtet.

Krahas çmimeve, që nga qytetarët po konsiderohen të larta, problem është shndërruar edhe sigurimi i terminëve për nxjerrjen e këtyre dokumenteve, me ç’rast janë shkaktuar radhë të gjata para sporteleve në institucionet ku lëshohen ato.

“Ka shumë njerëz. Po presim me orë të tëra në këto temperatura të larta. Për termin jam lajmëruar mbi një muaj e gjysmë më parë dhe sot kur duhet të fotografohem dhe të dorëzoj kërkesën po pres kaq gjatë. Diçka nuk po funksionon”, tha për Radion Evropa e Lirë Enver Kastrati, që po priste për të nxjerrë pasaportën e re.

Show More

Related Articles

Back to top button