LajmeMaqedoni

Protestë e personave me nevoja të posaçme, kërkohet kujdes më i madh nga shteti

Personat me nevoja të posaçme paralajmërojnë protesta masive në fillim të muajit qershor përmes të cilave do të kërkojnë, siç thonë, të mund t’i gëzojnë të drejtat që u takojnë. Të revoltuar nga rritja e pagave të funksionarëve ata thonë se për gjithçka shteti siguron para, vetëm për përmirësimin e kushteve të tyre, buxheti shtetëror është i kufizuar.

“Kërkesat tona janë konkretisht që shtesa për personat me nevoja të posaçme si për të rriturit ashtu dhe për fëmijët të pësojë rritje prej 78%. Kërkojmë mbulim prej 78% të asistentëve arsimorë në të gjitha shkollat e vendit për fëmijët me nevoja të posaçme. Kërkojmë po ashtu që shfrytëzimi i asistentëve nga 80 orë në bazë mujorë të rritet në 160 orë sepse 80 orë nuk i plotëson nevojat. Të gjitha pajisjet ndihmëse ortopedike siç janë shtagat për të verbrit, matësit e sheqerit, matësit e temperaturës dhe për shtypje të jenë në kurriz të Fondit”, deklaroi Suaret Alishan, Koalicioni “ Ndryshojmë”.

Alishan nga koalicioni “Ndryshojmë” tha se rritja e çmimeve ka dëmtuar tej mase këtë kategori të qytetarëve. Shtojnë se gjendjen edhe më shumë e rëndon ndalimi i shtesave financiare shtetërore të cilat atyre iu janë premtuar.

“ Është e pa lejueshme që ministri të thotë se shtesa për personat me nevoja të posaçme është rritur për 14,9% kjo shtesë është si pasojë e inflacionit të cilën shteti e përjetoi. Për shkak të inflacionit kemi 14,9% rritje, me të cilat nuk mbulohet asnjë shpenzim. Nëse vitin e shkuar kemi paguar 600 denarë rrymë, këtë vit paguajmë 1300. Ne nuk morëm ndihmë shtetërore edhe pse ministria tha se do marrim deri në fund të krizës”, u shpreh Suaret Alishan, Koalicioni “ Ndryshojmë”.

Kërkesat e koalicionit “Ndryshojmë” janë drejtuar pushtetit lokal ashtu dhe ndaj pushtetit qendror. /Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button