LajmeMaqedoni

Protestë e punonjësve të Ministrisë së Kulturës, presin që në seancën qeveritare të shqyrtohet kërkesa e tyre

 Të punësuarit në Ministrinë e Kulturës, Administratën e trashëgimisë kulturore dhe Agjencinë e filmit në protestën e sotme para Qeverisë që e organizojnë për të tretën javë radhazi përsëri shprehën pakënaqësinë nga të ardhurat e tyre mujore dhe presin që në mbledhjen e sotme të qeverisë të rishikohet kërkesa e tyre.

Kryetari i organizatës sindikaliste pranë Ministrisë së Kulturës, Branko Kostovski në protestë theksoi se ekzistojnë mundësi ligjore për zgjidhjen e çështjes së punonjësve në Ministrinë e Kulturës dhe shpreson se sot në mbledhjen e qeverisë të mbizotërojë arsyeja dhe të ketë vullnet për 190 të punësuarit në sektorin e kulturës. 

“Këto ditë kemi shprehur pakënaqësinë tonë në disa raste dhe kemi dërguar kërkesën për miratim dhe pëlqim për nënshkrimin e kontratës kolektive në Ministrinë e Financave. Çfarë paradoksi, të punësuarve në disa institucione shtetërore ju kufizohet aktiviteti kolektiv dhe realizimi i së drejtës së garantuar me kushtetutë për pagën. Njëherësh, shkelet parimi kushtetues i barazisë së të gjithë punonjësve, sepse ministri i Financave thjesht vlerëson se punonjësit e tij meritojnë të ardhura më të larta për punën që bëjnë. Dhe asnjë nga autoritetet nuk e kundërshton këtë vendim të tij, por përkundrazi japin ‘aminin’”, tha Kostovski. 

Sipas Kostovskit, vendimi i mbledhjes së qeverisë nuk do të manifestojë vetëm qëndrimin ndaj punonjësve protestues, por në përgjithësi ndaj kulturës e cila, siç tha ai, “nuk duhet vetëm deklarativisht të jetë vlerë themelore në shoqëri”.

Përfaqësuesit e Sindikatës së të punësuarve në Ministrinë e Kulturës, Administratës për trashëgimi kulturore dhe Agjencisë së filmit kanë mbajtur javën e kaluar takim me ministrin e Financave, Fatmir Besimi, ku kanë përsëritur kërkesat e tyre për rritje të pagave, por nuk gjetën zgjidhje të përbashkët.

Kostovski paralajmëroi se do të vazhdojnë me protestat deri sa të plotësohen kërkesat e tyre. 

Show More

Related Articles

Back to top button