LajmeRajon

Rama: Së shpejti publikojmë planin për rritjen e pagave më tej

“Së shpejti qeveria do të publikojë një studim dhe plan për rritjen e pagave më tej”. Kështu ka deklaruar këtë të hënë (27 mars) Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me punonjësit e një sipërmarrje në Kamëz.

Kreu i qeverisë deklaroi se aktualisht po bëhet një analizë e thellë lidhur me pagat në vendin tonë, teksa theksoi se pavarësisht rritjes së pagës minimale në prill dhe rritjes së pagave për mjekës specialistë, nuk mjafton.

“Po bëjmë një analizë të thellë dhe së shpejti do bëjmë publik një studim dhe plan për rritjen e pagave më tej. Nëse sot me mjekët specialistë ne u vendosëm në nivelin e lartë të rajonit, këtë duhet ta realizojmë kudo”, tha Rama.

Kryeministri vuri theksin te mbarimi i fillit të logjikës së shfrytëzimit deri në skaj të krahut të punës, nga mendjet e kapitalistëve shqiptar. Mungesa e krahut të punës, sipas kreut të qeverisë, po godet palcën e ekonomisë.

“Këtë që po bëjmë dhe do e shoqërojmë me masa të tjera, është një vendosje në krahun e punonjësve për të luftuar së bashku me sipërmarrësit e përgjegjshëm logjikën e krahut të punës.

Kjo po godet palcën e ekonomisë, që është forca e punës. Po ul kapacitetet për punë. Ne s’mund të pranojmë që paga minimale të jetë njësoj dhe në ndërtim.

E para, sepse kjo nuk është më pak, është shfrytëzim. Por është dhe e pavërtetë në raport me gjithë ciklin ekonomik e financiar të ndërtimit. Nuk është pasqyrë e produktivitetit, por e shfrytëzimit”, theksoi ai.

Kryeministri u ndal dhe te kompanitë e ndërtimit duke i paralajmëruar se nuk do marrin më leje ndërtimi dhe nuk do të marrin tendera, nëse punonjësit nuk paguhen sipas analizës së vetë tregut dhe operatorëve.

Show More

Related Articles

Back to top button