LajmeRajon

Rasti i “53-milionëshit”, Haradinaj flet për projektin me “Bechtel-Enkan”

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, në cilësinë e dëshmitarit tha se bazuar në procedurat e vendimmarrjes së brendshme për mbylljen e projektit, e konsideron të drejtë vendimin për zgjidhjen e çështjes me “Bechtel-Enkan”.

“Po, bazuar në procedurat e vendimmarrjes së brendshme për mbylljen e projektit që ka qenë në tavolinë. Arsyeja është se projekti në fjalë, në gjendjen e atëhershme nuk mund të vazhdonte pa e definu konkluzionin për obligimin financiar”, tha Haradinaj duke u përgjigjur në pyetjen e të akuzuarit Eset Berisha lidhur me atë se a konsideron se ka qenë vendimi i drejtë për zgjidhjen e çështjes me “Bechtel-Enkan”.

Ndërsa, i pyetur se a ndjehet i lajthitur apo mashtruar nga ministri Pal Lekaj, Haradinaj tha se Kryetari i Qeverisë merr vendime në bazë të ngritjes së çështjes nëpër etapat e veta.

“E nderuar gjykatëse të nderuar gjykatës të trupit gjykes, kryetari i Qeverisë merr vendime në bazë të ngritjes së çështjes nëpër etapat e veta”, tha Haradinaj.

Haradinaj tha se vendimmarrjen e ka vetëm përfaqësuesi i vendimit, ministri ose zëvendësiminstri.

“Vendimmarrjen e ka vetëm përfaqësuesi i vendimit. Ministri ose i delegumi nga ministri në këtë rast zëvendësministri. Të drejtën e ndihmesës për ekspertizë vijnë zakonisht nga sekretari i përgjithshëm i ministrisë, këshilltarët profesionistë ose ata të lidhur me temën që ka qenë në praktikë për me pas më shumë njerëz. Pra, të gjithë ata janë ata që kanë qenë në atë kohë”, shtoi ai.

Ndërsa, kur u pyet se a konsideron që ka pasur të gjitha materialet mbështetëse të nevojshme për marrjen e vendimit nga Qeveria për aprovimin e kërkesës së Bechtel-Enkas, kjo pyetje u kundërshtua nga prokurori Atdhe Dema.

Prokurori tha se kundërshtimi bazohet në mënyrën e parashtrimit të pyetjes, sepse dëshmitari nuk mund të pyetet se a konsideron se ka pranuar dokumente të mjaftueshme.


Ramush Haradinaj do të dëshmojë sot në rastin e 53-milionëshit

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është ftuar për të dëshmuar në rastin e njohur si 53-milionëshi.

Të akuzuarit në këtë rast janë ish-ministri i Infrastrukturës në Qeverinë Haradinaj, Pal Lekaj, dhe të tjerë, Eset Berisha, Besim Tahiri dhe Nebih Shatri.Haradinaj ka ardhur me ftesën e Musa Damatit, mbrojtësit të Pal Lekajt. Në këtë rast paraprakisht ishte dëgjuar edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Berdi Hamza.

Ish-ministri Lekaj dhe tre zyrtarët e tjerë, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri akuzohen se janë përfshirë në afera korruptive kur ishte vendosur për ndarjen e këtyre mjeteve në emër të vazhdimit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi” që lidh kryeqytetin me Hanin e Elezit. Me veprimet e tyre ata akuzohen se buxheti i Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38,32,346 euro.

Sipas PSRK-së, ndonëse të pandehurit kanë qenë në njohuri që sipas aneks-kontratës kostoja shtesë në emër të shtyrjes së afatit të punimeve të jetë 14 milionë e 778 euro, me dashje kishin nënshkruar një marrëveshje të re pa kosto.Aktakuza thotë se Lekaj kishte caktuar Eset Berishën që të marrë pjesë në negociata për arritjen e marrëveshjes me “Bechtel & Enka” ku ata pajtohen që në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, Ministria e Infrastrukturës t’i paguajë koston shtesë në vlerë prej 53 milionë e 100 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, historia nis në vitin 2017 kur Ministria që drejtohej nga Pal Lekaj nënshkroi një marrëveshje me kompaninë “Bechtel-Enka” për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për 347 ditë të tjera duke mos përcaktuar koston financiare.Kjo, sipas aktakuzës, i kishte hapur rrugë kompanisë që më datën 27 nëntor 2017 të paraqes një kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për pagesë të shumës shtesë “Briefing Package” në vlerë prej 63 milionë euro në emër të “zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve”.

Kërkesa e njëjtë më pastaj ishte zbritur në 53 milionë e 100 mijë euro e cila edhe ishte ekzekutuar më 5 qershor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës.

Show More

Related Articles

Back to top button