LajmeMaqedoni

RMV, sërish e fundit me rritje ekonomike

Maqedonia e Veriut për disa vite me radhë po shënon shkallë të ulëta të rritjes ekonomike me një mesatare prej afër 2 për qind. Njëherësh Banka Botërore parashikon se jo vetëm sivjet me 1.8 për qind, por edhe në dy vitet e ardhshme, vendi dobët do të lëvizë në aspektin ekonomik. Edhe vitin 2023 dhe 2022 ky institucion ndërkombëtar financiar parashikoi rritje të ulët ekonomike për vendin tonë me një për qind në vitin e kaluar.

RRUGA PËR NË BE

Sigurimi i qëndrueshmërisë, rritja e produktivitetit si dhe ndërmarrja e reformave të nevojshme nevojshme strukturore të punës dhe rregullatore janë thelbësore për përparimin në rrugën e anëtarësimit në BE si dhe për të mundësuar rritje të qëndrueshme.

Në raportin e fundit të Bankës Botërore theksohet se rreziqet bazë mbeten, të cilat në masë të madhe do të varen nga situata ekonomike në vendet që janë partnerët më të mëdhenj tregtarë si dhe nga vazhdimi i procesit të anëtarësimit në BE, i cili mund të përshpejtojë reformat kritike.

“Megjithatë, rritja e pasigurisë politike dhe ngërçi i zgjatur parlamentar për shkak të mungesës së konsensusit për ndryshimet kushtetuese, si dhe zgjedhjet e ardhshme, mund të vonojnë zbatimin e reformave. Më në fund, problemet politike sjellin rreziqe si për qëndrueshmërinë fiskale ashtu edhe për inflacionin, gjë që do të kërkojë shtrëngim të mëtejshëm monetar, i cili, nga ana tjetër, mund të kufizojë më tej opsionet e financimit dhe të ngadalësojë aktivitetin ekonomik”, thuhet në raport.

Nga Banka Botërore janë të shqetësuar për kreditë që merr vendi nga Hungaria dhe se si ato do të ndikojnë në borxhin dhe deficitit publik. Projeksionet e Bankës Botërore nuk janë optimiste, për këtë arsye shprehen shqetësime edhe për deficitin buxhetor, për shëndetësinë dhe arsimin, si dhe për korrupsionin.

NGECJE E KORRIDORIT 8 DHE 10D

Këtë vit, sipas Bankës Botërore, Maqedonia e Veriut do ta mbyllë me rritje prej vetëm 1.8 për qind në vend të 2.5 për qind të parashikuar në pranverë. Reduktimi vjen si pasojë e mungesës së zbatimit të punimeve tek korridoret 8 dhe 10D, si dhe problemeve në sektorin e energjisë.

“Nëse ju kujtohet projeksioni ishte 2.5 për qind dhe shpresa ishte që të fillonin dy autostrada, por tani jemi në mes të tetorit, kështu që nuk kemi shumë kohë, ekzistojnë disa çështje strukturore me procesin e investimeve publike që janë shumë të ngadalta dhe në rastin e Maqedonisë së Veriut shumë më të gjata se sa pritej. Çmimet e ushqimeve po rriten sërish. Ekziston edhe një problem me hidrologjinë që reflektohet në sektorin e energjisë. Gjermania është në recesion dhe 40 për qind e eksporteve të Maqedonisë së Veriut janë në Gjermani”, tha Sanja Maxhareviq-Shuster nga Banka Botërore.

PARASHIKOHET ULJE E INFLACIONIT NË 2 PËR QIND DERI NË VITIN 2026

Mbetet problemi i gropës në arkën e shtetit apo dallimit midis të hyrave dhe të dalave në buxhet si dhe rritja e borxhit publik i ndikuar edhe nga kredia hungareze prej një miliardë euro thonë nga Banka Botërore.

“Rreziku aktualisht është mjaft i madh dhe lidhet drejtpërdrejt me situatën fiskale, që nënkupton një deficit të lartë, domethënë një periudhë të zgjatur të deficitit të lartë dhe një nivel relativisht të lartë borxhi, dhe kjo është veçanërisht rasti kur krahasoni Maqedoninë e Veriut me vendet e tjera të rajonit. Edhe pse para 6-7 vitesh vendi ishte relativisht pak i ngarkuar me borxhe dhe me finança relativisht stabile, kjo situatë ka ndryshuar ”, thotë Maxhreviq – Shuster.

Korrupsioni, arsimi dhe shëndetësia janë ende problemet dhe shkaqet kryesore të emigrimit dhe për këtë arsye Banka Botërore i sugjeron Qeverisë që të fokusohet në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore , por edhe ndaj arsimit dhe korrupsionit. Në ndërkohë dy vite më para vendi kishte të probleme të ngjashme me një rritje të dobët prej afër 2 për qind, sipas Bankës Botërore. Telashet e vendit në vitin 2022, ishin lufta në Ukrainë dhe kriza energjetike që ngadalësuan rritjen ekonomike, ndërsa inflacioni kishte zvogëluar të ardhurat reale të të varfërve

KRYEFJALA REFORMA

Edhe dy vitë më parë,ngjashëm si tani janë rekomanduar reforma për qëndrueshmëri fiskale që do të nxisin rritjen potenciale ekonomike në suaza afatmesme. Dy vite më parë u theksua se në këtë ambient dhe kontekst politik, hendeku i rritur politik po vështirëson kordinimin dhe realizimin e politikave përfshirë ato për energjetikë, klimatike dhe qëndrueshmëri fiskale si kryesore për rritje ekonomike. Në vitin 2022, theksohej se pasiguria në rritje politike dhe bllokada parlamentare pas rezultateve të zgjedhjeve lokale, si dhe pengesat për hapjen e negociatave për hyrje në BE, mund të sjellin anulimin e vendimeve për reformat e nevojshme për përmirësimin e potencialit të rritjes dhe konsolidimin e financave publike.

Katër vite më parë apo në vitin 2020 nga Banka Botërore këshilluan që përvojat nga pandemitë të përdoren për të përmirësuar sistemet shëndetësore dhe për të promovuar reformat ekonomike që do të shpallin nevojën për bashkëpunimin global dhe mbrojtjen e grupeve të prekshme.

Më të prekurat nga këto vende që siç theksuan nga Banka Botëore do të jenë ato që kanë pasur përhapje të shpejt të koronavirusit, të cilët kanë sisteme të dobëta shëndetësore, dhe të cilat varen nga investimet e huaja, dhe që mbështeten në tregti të jashtme dhe turizëm. Sipas definicionit të Bankës Botërore, për tregjet e reja dhe ekonomitë në zhvillim, në mesin e tyre është edhe Maqedonia. Politikat e tjera për të cilat do të duhej të orientohej Qeveria ishin ndërtimi i instituvioneve të fuqishme, sundimi i së drejtës, reformat në arsim, investimet në kapitalin njerëzor, digjitalizimi dhe tranzicioni i gjelbër, theksuan atëherë nga Banka Botërore. \Koha\

 

Show More

Related Articles

Back to top button