RMV, sot do të mbahet mbledhja e parë e grupit punues për ndryshimet zgjedhore

Sot për herë të parë grupi i formuar për ndryshimet zgjedhore do të mblidhet në një seancë formale konstituive. Ministria e Drejtësisë tashmë ka njoftuar se do të marrin pjesë përfaqësues të të gjitha partive që kanë paralajmëruar pjesëmarrjen, përveç VMRO-DPMNE-së, transmeton Portalb.mk.

“Kodi Zgjedhor duhet të hyjë në fuqi të paktën gjashtë muaj para zgjedhjeve në mënyrë që institucionet të përgatiten për zbatimin pa probleme të ndryshimeve. Në raportin e fundit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, Misioni i Posaçëm i Vlerësimit të Zgjedhjeve i ODIHR bëri të qartë se ka ende një sërë çështjesh në kuadrin ligjor për zgjedhjet që duhet të adresohen”, thonë Ministria e Drejtësisë.

Kryetari i Komisionit, Novakovski, së fundi në një intervistë për MIA-në theksoi se rekomandimet e OSBE-së dhe ODHR-it duhet të trajtohen seriozisht, të cilat nuk përfshijnë vetëm diskutim për një njësi zgjedhore, por hapin edhe një sërë çështjesh të tjera.

Pjesëmarrje me përfaqësuesit e tyre kanë paralajmëruar LSDM, BDI, Aleanca për Shqiptarët, BESA, Alternativa, E Majta dhe Bashkimi Demokratik.

Edhe VMRO-DPMNE-ja dje përsëri bëri me dije se do të marrin pjesë vetëm nëse qeveria do të paraqesë propozim për një njësi zgjedhore dhe se do ta mbështesin kur të jetë koha e votimit.

Pjesë e temave që iu imponuan opinionit në periudhën e kaluar ishin pragu, financimi i partive, përfaqësimi mediatik, por edhe anëtarët në KSHZ që vijnë me propozim të partive. Ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor janë bërë në prill të vitit 2021 dhe kanë të bëjnë me identifikimin biometrik.

Grupi punues, i cili duhej të punonte për përgatitjen e Kodit të ri Zgjedhor, ishte formuar nga paraardhësi i Llogës, Nikolla Tupançevski, por nuk filloi punën për shkak se Besa dhe VMRO-DPMNE nuk i caktuan përfaqësuesit e tyre.

Rikujtojmë se më 13 mars, ambasadori holandez Jan Kop, gjatë një takimi me ministrin e Drejtësisë, Krenar Lloga, ka shprehur interesim lidhur me nismën për përgatitjen e Kodit të ri Zgjedhor.

Ndryshe, kohë më parë Pavle Trajanov, ua ka dorëzuar deputetëve propozim ndryshimet e Kodit Zgjedhor, me qëllim që të tregojnë qëndrimet dhe sugjerimet e tyre. Me propozim ligjin për ndryshim të Kodit Zgjedhor, propozohet që Maqedonia e Veriut të jetë një njësi zgjedhore, të mbetet model proporcional dhe pa prag zgjedhor. Llogaritja për zgjedhje të deputetëve të realizohet sipas sistemit të Dontit.

Aktualisht, Maqedonia e Veriut është e ndarë në 6 zona zgjedhore të cilat zgjedhin nga 20 deputetë secila. Prej vitesh ekziston debati që vendi të kalojë në një zonë të vetme zgjedhore, gjë e cila do t’i jepte shansin edhe partive të vogla për të konkurruar dhe për të thyer monopolin e partive të mëdha.