LajmeMaqedoni

Rreziku nga mosarritja e ndryshimeve kushtetuese: “Maqedonia e Veriut do të pësonte ngecje dhe kthim prapa”

Ndryshimet kushtetuese është mirë të ndodhin në nëntor por jo me çdo çmim. Kështu shprehen njohësit e politikave vendore, duke shtuar se integrimet euroatlantike janë gjëja që më së shumti e dëshirojnë por edhe u nevojitet qytetarëve të Maqedonisë. Albert Musliu shprehet se ka disa politikbërës në Maqedoni të cilët duan ta zbehin perspektivën europiane të vendit, e për këtë shton se periudhën që vjen duhet angazhim më i madh i partnerëve.

“Mendoj se periudhën që vijon edhe partnerët tanë euroatlantik do të angazhohen më shumë që t’i vetëdijësojnë politikanët tanë se kjo është ardhmëria më e mirë dhe ardhmëria e vetme koncensuale për shoqërinë e Maqedonisë. Në fakt, integrimet euroatlantike janë ngjitësja që i bashkon të gjithë qytetarët e Maqedonisë, dhe është e vetmja temë e cila ka një shumicë absolute te qytetarët. Pavarësisht si kalojnë periudhat, disa politikanë tentojnë ta zbehin atë perspektivë, ta risin skepticizmin”, theksoi Albert Musliu, analist politik.

Nga ana tjetër Marko Troshanovski nga Instituti për Demokraci shprehet se Maqedonia e Veriut do të pësonte ngecje dhe kthim prapa thuajse në çdo fushë nëse nuk fillojmë bisedimet me BE-në. Sipas tij, nëntori është datë e dëshirueshme por jo edhe e patjetërsueshme.

“Të jemi jashtë procesit të bisedimeve do të thotë se do të vazhdojë procesi i kthimit prapa të shtetit thuajse në çdo fushë. Kjo është e qartë për të gjithë. Procesi i bisedimeve mundëson të reformohemi si shoqëri. Ndryshimet kushtetuese patjetër duhet të ndodhin. Më së miri është që kjo të bëhet me konsensus të përgjithshëm dhe për këtë mendoj se si shoqëri nuk duhet që të shpejtojmë me çdo çmim. Nëntori është datë e dëshiruar por nuk do të thotë se është e patjetërsueshme që nëse ne i bëjmë ndryshimet kushtetuese do t’i fillojmë bisedimet”, deklaroi Marko Troshanovski, analist politik.

Analistët shprehen se VMRO-DPMNE në fakt nuk është kundër ndryshimeve kushtetuese, por dëshiron që ato të ndodhin derisa ata udhëheqin me Qeverinë. Si kompromis i shohin zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në këmbim votimin e ndryshimeve kushtetuese.

Show More

Related Articles

Back to top button