LajmeMaqedoni

Rriten pagat në arsim për 10 %, kurse numri i partive gati 30%, do të shohim kush do të fitojë!

Shkruan: Lirim Begzati

U dëgjua se pagat e profesorëve dhe arsimtarëve rriten për 10%, e ndërkohë dëgjojmë se numri i nxënësve është zvogëluar viteve të fundit diku afër 30 % në ndonjë shkollë, e diku tjetër asnjë nxënës nuk e filloi mësimin në klasën e parë.

Edhe në mjekësi flitet për rritje të rrogave, për disa për qind. E ndërkohë flitet edhe për largim nga vendi të një përqindje të lartë të profesionistëve të mjekësisë, ndoshta e një niveli më të lartë se përqindja e rritjes së rrogave.

Edhe në disa sektorë të ndërtimtarisë u rritën rrogat, gati u dyfishuan apo edhe më tepër, por edhe numri i mjeshtërve që u larguan apo vazhdojnë të largohen u dyfishua, bile edhe u trefishua. Edhe këtu një “çrregullim përqindjesh”.

Sipërmarrësi thotë se e ka vështirë të gjej punëtor, kurse dikush tjetër thotë se e ka vështirë për me gjetur një mjeshtër për me i krye disa punë. Të gjithë këto kanë ra në hallë, dikush më pak e dikush më tepër.

Në tregun e punës në përgjithësi u zvogëlua papunësia. Sot vlen si kurrë më parë rregulla “kush donë me punua, punë ka bollë”.

Kurse në politikë, ku jepet nganjëherë përshtypja se disa njerëz të politikës e luajnë rolin e spektatorit ndaj kësaj që është duke ndodhë te na, shfaqet ndërkohë një dukuri që merrë një formë tjetër.

Edhe aty, shfaqet trendi i dinamikës së rritjes së përqindjeve, dhe duket se shkohet në drejtim të zmadhimit të numrit të partive për diku afër 30 %. Pikërisht në këto kohëra kur tepër e më tepër zvogëlohet numri i votuesve, për një përqindje po ashtu të konsiderueshme!

Të gjitha këto përqindje të përafërta reflektojnë një tendencë që dëshmon se vendi ballafaqohet me sfidat që duket se kanë dal jashtë “kontrollit” dhe vështirë të futen në binaret e stabilitetit, të kërkesave dhe nevojave reale të popullatës.

Vetëm diçka duket më se e qartë : jepen prognoza se vendi do të integrohet në Evropë diku në horizontin e viteve 2030. Trendi aktual dëshmon në fakt se nëse vazhdohet me ritmin e “eksodit” aktual, nuk do të kursehemi nga intensifikimi i largimeve të mëtutjeshme nga vendi, duke e pasur për shënjestër sidomos Evropën.

Nëse këtë do ta konsideronim si integrim në Evropë, atëherë do të duhej ti besonim integrimit të mundshëm deri në vitet 2030, por me kusht nëse vendoset të ndryshohet definimi i integrimit sipas kushteve aktuale të kërkuara për anëtarësim në BE.

Largimet nga vendi dhe synimi për hyrje në Evropë, nuk kanë aq shumë pika të përbashkëta, jo aq sa mendohet nganjëherë!

Show More

Related Articles

Back to top button