LajmeRajon

Samiti i BE në Tiranë, zbardhet agjenda / Rama: Ngjarje historike

Këshilli i Bashkimit Evropian ka zbardhur agjendën e samitit mes liderëve të BE dhe Ballkanit Perëndimor, që mbahet në 6 dhjetor në Tiranë.

Temat kryesore të diskutimit do të jenë pasojat e agresionit rus kundër Ukrainës, intensifikimi i angazhimit politik, përforcimi i sigurisë dhe ndërtimi i qëndrueshmërisë ndaj ndërhyrjeve të huaja dhe adresimi i sfidave të paraqitura nga migrimi, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Në fund të samitit, liderët pritet të kenë një deklaratë.

Aktiviteti do të nisë në orën 10:15, me mbërritjen e delegacioneve dhe pritjen zyrtare. Në orën 11:45 është planifikuar fotoja zyrtare. Në 12:15 programi vijon me seancën plenare dhe drekën e punës dhe në orën 14:30 me konferencën për shtyp.

E marta e 6 dhjetorit pritet të zyrtarizohet ditë pushimi për kryeqytetin.

Nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza” dhe përreth stadiumit Arena Kombëtare do të aplikohen 16 nivele të sigurisë së Policisë shqiptare në bashkëpunim me protokollin e sigurisë së Brukselit.

Godina e Këshillit të Ministrave është parashikuar si plan B për mbajtjen e Samitit, sipas protokollit të kërkuar nga unioni për çdo të papritur.

 Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot një foto të logos së takimit të samitit në rrjetin social Facebook, teksa shpreh kënaqësinë që samiti BE-Ballkani Perëndimor do të mbahet në Shqipëri. 

Teksa e konsideron si një ngjarje historike, kreu i qeverisë shkruan se shqiptarët e shohin të ardhmen në familjen e madhe evropiane.

 “Mirëmëngjesi dhe me kënaqësinë e vendit mikpritës për herë të parë të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, një ngjarje historike, me respektin për ne që të ardhmen e shohim në familjen e madhe europiane, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Show More

Related Articles

Back to top button