LajmeMaqedoni

Seancë gjyqësore për Muhamed Zekirin, priten të dëshmojnë dy dëshmitarë

Në Gjykatën Penale të Shkupit, sot pritet të mbahet seancë gjyqësore për procesin ku ish sekretari i Qeverisë, Muhamed Zekiri akuzohet se ka lidhur kontrata për shërbime konsulente për analizimin e situatave në postë dhe hekurudha, pa procedurë për prokurim publik dhe me këtë, sipas Prokurorisë, e ka “keqpërdorur detyrën dhe autoritetin zyrtar”.

Sipas paralajmërimeve paraprake, sot pritet të dëshmojnë Goran Anastasieviq dhe Bisera Zekiri, të cilët janë propozuar nga mbrojtja.

Prokuroria e akuzon Zekirin se në periudhën nga prilli i vitit 2021 deri në janar të vitit 2022, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë, pa kryer prokurim publik, ka lidhur kontrata për shërbime konsulence me një kompani me vlerë totale prej gati një milion euro, gjegjësisht janë paguar 147.000 euro më shumë se 795.000 të rënë dakord paraprakisht.

Ai po ndiqet penalisht për lidhjen e dy kontratave private për shërbime konsulente – njëra për përcaktimin e modelit për ristrukturimin e Sh.A. “Posta” dhe kontrata e dytë për shërbime konsulente për mbështetjen e procesit për privatizimin e mundshëm të “Hekurudhave”.

Prokurorja Katerina Kolareviq konsideron se në procesin gjyqësor do të mund të dëshmojë se ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë ka keqpërdorur pozitën dhe kompetencat e tij zyrtare dhe është e bindur se është dashur të shpallë tenderë, ndërsa Zekiri para gjykatës ka deklaruar se nuk ndihet fajtor dhe beson se nuk ka bërë shkelje të Ligjit për furnizime publike.

Zeqirit më 9 prill të vitit të kaluar i ishte caktuar masa e paraburgimit, e cila më pas, për shkaqe shëndetësore iu zëvendësua me arrest shtëpiak.

Gjykimi drejtohet nga gjyqtarja Fanka Jançuleva Mihailovska dhe gjyqtari Osman Shabani.

Ndryshimi i Kodit Penal, pritet të sjellë rikualifikim të veprës

Sipas akuzës, Muhamed Zekiri ndiqet për – Keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar sipas nenit 353 paragrafi 5 në lidhje me paragrafin 3, 1 dhe 45 nga Kodi Penal.

Megjithatë, me ndryshimet e Kodit Penal, paragrafi 5 i nenit 353 është fshirë. Ky paragraf parashikonte që nëse keqpërdorimi i pozitës është kryer gjatë prokurimit publik, në dëm të buxhetit, dënimi do të jetë të paktën 5 vjet (ose më së shumti 20 vjet).

Është ende e paqartë dhe do të duhet që të sqarohet Gjykata dhe Prokuroria, nëse do të rikualifikohet lënda, pasi që nëse mbetet akuza e njëjtë, atëherë Zekiri nuk mund të gjykohet për një vepër që nuk përshkruhet në Kodin Penal dhe automatikisht çështja duhet të mbyllet.

Show More

Related Articles

Back to top button