LajmeMaqedoni

Shkup, BFI organizoi manifestimin tradicional “Bakllavaja e Bajramit”

Me rastin e festës së Kurban Bajramit, Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë së Veriut (BFI) në Shkup organizoi manifestimin tradicional me moton “Bakllavaja e Bajramit”, ku për mysafirët e ftuar u servir bakllava dhe ëmbëlsira tradicionale për këtë festë.

Kreu i BFI-së, Shaqir Fetai, në fjalën e tij përshëndetëse falënderoi mysafirët për prezencën dhe urimet e tyre me rastin e festës së Kurban Bajramit, ndërsa më tej u shpreh se ky manifestim organizohet me qëllim që në vazhdim dhe në të ardhmen në raste të këtilla si kjo të urojnë dhe të festojnë së bashku.

Fetai në vijim të fjalës së tij në emër të BFI-së, organeve dhe institucioneve që drejton BFI u uroi festën e Kurban Bajramit të gjithë besimtarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe më gjerë.

“Lus Allahun fuqiplotë që ai të na ndihmojë. Të ruajmë paqen, të ruajmë qetësinë, të jemi tolerantë dhe të kultivojmë tolerancën, bashkëjetesën dhe të gjitha vlerat civilizuese, që sot bota e civilizuar i ndjek ato trende dhe jeton me ato sende”, u shpreh Fetai.

Në këtë manifestim ëmbëlsirën tradicionale të kësaj feste e shijuan një numër i madh i mysafirëve, përfaqësues të institucioneve shtetërore, jetës politike, korit diplomatik, shoqërisë civile, të jetës akademike, muftinj dhe shumë të ftuar të tjerë.

Show More

Related Articles

Back to top button