LajmeRajon

Shqipëri, Universitetet ndërmarrin programe ndaj ekstremizmit të dhunshëm

Në universitetet e Shqipërisë po futen programe studimore mbi ekstremizmin e dhunshëm.

Projekti po përgatit specialistë për trajtimin e rasteve të ekstremizmit të dhunshëm, si dhe në parandalimin e ekstremizmave të shumëllojshme përmes arsimit.

Universiteti i Tiranës dhe Qendra Koordinuese Kombëtare Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm po përfshijnë në kërkimet akademike programe studimore, që përgatitin një brez ekspertësh të shumë fushave në përballjen me ekstremizmin e dhunshëm.

Projekti, i shtrirë deri tani në 22 shkolla të larta, i mendon universitetet si pengesa kryesore përballë ekstremizmit të dhunshëm.

Drejtorja ekzekutive e Qendrës Kombëtare për Koordinimin Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, Lejdi Dervishi, thotë se Shqipëria ka njohur së pari ekstremizmat fetare, por ato janë të shumëllojshme dhe përgatitja përballë tyre nevojitet të jetë shumëplanëshe.

“Ne jemi mësuar të dëgjojmë për ekstremizmin e dhunshëm fetar, sepse kështu erdhi në një nga format në Shqipëri. Ne e shohim ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin të prirur drejt ideologjive radikale fetare. Por nuk është vetëm kjo. Ballkani, Europa dhe gjithë bota janë të prekura nga dukuri si ekstremizmi i djathtë, ekstremizma me bazë ideologjike racore, etnike, refuzim të diversitetit, duke shkelur të drejtat e njeriut” , thotë zonja Dervishi.

Projekti synon përfshirjen në programet e studimit të temave mbi ekstremizmin e dhunshëm.

Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare, si një nga zbatuesit e tij, po punon si në Universitetin e Tiranës ashtu edhe në Universitetet e Vlorës, Elbasanit dhe Durrësit, në departamente të psikologjisë, edukimit, gazetarisë, drejtësisë, mësuesisë, burimeve njerëzore, ku ka nisur përgatitja e specialistëve, që pritet përballen me këtë jëtë dukuri dhe ta trajtojnë atë përmes shërbimeve të ndryshme.

“Sidomos ata që do të jenë profesionistët e të ardhmes, që do të ofrojnë shërbime direkte ndaj personve që mund të jenë të prekur nga ekstremizmi i dhunshëm, parandalimi si dhe ri-integrimi i atyre që kanë kaluar në ekstrem, duhet të jenë sa më të përgatitur, sepse kjo është një luftë afatgjatë” , thotë Alba Çela, drejtore ekzekutive e Institutit Shqiptar të Studimeve Ndërkombëtare.

Parandalimi dhe trajtimi i ekstremizmit të dhunshëm ka bërë bashkë shumë partnerë vendas dhe ndërkombëtarë. Pushteti vendor, shkollat, bashkësitë fetare, shoqëria civile, organet ligjzbatuese janë të angazhuar kudo nëpër Shqipëri.

Drejtuesi i seksionit të marrëdhënieve publike i ambasadës së SHBA-ve në Shqipëri, Chad Twitti, thotë se tek parandalimi, krahas përpjekjeve të ushtrisë, dhe organeve ligjzbatuese, një punë thelbësore bëjnë universitetet dhe sistemi arsimor në tërësi.

“Angazhimet e të rinjve, duke nisur nga moshat më të reja në universitete, kolegje, medrese, janë të rëndësishme, ndaj pedagogët duhet të dëgjojnë studentët, dhe duhet të qëndrojnë pranë rinisë. Sistemi arsimor dhe projektet edukuese luajnë një rol thelbësor, sepse në shkolla e universitete të rinjtë diskutojnë pikëpamjet e tyre mbi shumë cështje” , thotë zoti Twitti.

Universiteti i Tiranës kë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Qendrën Koordinuese kundër Ekstremizmit të dhunshëm për t’u përfshirë në projektet e parandalimit të kësaj dukurie.

Zëvendës rektori i Universitetit të Tiranës, Benard Dosti, thotë se larmia e ekstremizmave aktualisht sot në botë kërkon nga sistemi arsimor një përgatitje sa më profesionale për të ardhmen.

“Sapo përmendet ekstremizmi i dhunshëm, na vjen në mendje këndvështrimi fetar. Por sipas studimeve dhe ngjarjeve kudo nëpër botë, ekstremizmi i dhunshëm nuk është vetëm fetar, por është një ekstremizëm shumë më kompleks. Duke e njohur këtë dukuri, duke e trajtuar atë, do të jetë më e lehtë edhe për ta luftuar këtë dukuri, e cila po merr një rëndësi gjithënjë e më të madhe në ditët e sotme” , thotë zoti Dosti.

Falë bashkëpunimit me Universitetin e Tiranës po përgatiten specialistët e duhur në psikologji dhe drejtësi për t’u përballur me rastet e ekstremizmit të dhunshëm.

Projekti ka sjellë edhe një bashkëpunim rajonal, sepse Shqipëria po shpërndan praktikat e saj të mira me universitetet e Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi.

Show More

Related Articles

Back to top button