LajmeRajon

Shqipëria kërkon ta rrisë prezencën ushtarake në Kosovë

Shtetet anëtare të NATO-s kanë kërkuar të premten rritjen e prezencës ushtarake në misionin e KFOR-it në Kosovë dhe kanë garantuar vazhdimin e misionit në Bosnje e Hercegovinë.Shqipëria ka premtuar se do të shtojë prezencën e saj në misionin pranë KFOR-it, ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi. E ka thënë këtë pas përfundimit të takimit dyditor të Ministrave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s, që u mbajt në selinë e NATO-s në Bruksel.

Ministri Peleshi theksoi rëndësinë që Aleanca i jep rajonit të Ballkanit, duke shtuar se kjo vëmendje duhet të jetë më e shtuar edhe në aspekte të tjera diplomatike dhe ekonomike, në interes të integrimit të rajonit edhe në organizma të ndryshme politike, ekonomike dhe ushtarake.

“Shtetet anëtare kërkuan rritjen e prezencës në KFOR , dhe unë thashë që të ketë një shtim të prezencës së Shqipërisë në KFOR”, ka thënë ministri Peleshi. “Është dhënë garanci dhe mbështetje nga të gjitha shtetet për vazhdimin e misionit në Bosnjë-Hercegovinë, që rrezikon nga Rusia, ku të gjitha shtetet anëtare u gjendën të gatshme që të vazhdojë misioni dhe të ketë siguri në Bosnjë dhe KFOR”.

Në fokus të diskutimeve të ministrave të mbrojtjes të vendeve të NATO-s, ishte rritja e kontributit për Ukrainën dhe forcimi i mbrojtjes së NATO-s, në situatën e krijuar nga agresioni rus në Ukrainë.

Ministri Peleshi e vlerësoi të rëndësishëm këtë takim, për të cilin tha se vjen në një moment tepër kritik për mbrojtjen dhe sigurinë e aleatëve dhe adresimin e ndihmës së vazhdueshme për Ukrainën.

Ai ka falënderuar Aleancën dhe vendet partnere për gatishmërinë e treguar për të ndihmuar Shqipërinë pas sulmeve kibernetike të muajve të fundit. Po kështu, ka siguruar vendet aleate se Shqipëria po bën përpjekje të vazhdueshme për ngritjen dhe forcimin e masave mbrojtëse ndaj infrastrukturës kritike dhe sigurisë kibernetike, në bashkëpunim edhe me vende e struktura të specializuara në këtë fushë.

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin, në fjalën e tij dënoi sulmin kibernetik ndaj shërbimeve online në Shqipëri dhe bëri thirrje për rritjen e vigjilencës dhe kapaciteteve mbrojtëse të vendeve të Aleancës dhe vendeve partnere në këtë fushë.

Në këtë Ministerial, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë ka theksuar mbështetjen për projektin e Porto Romanos, si një nyjë e rëndësishme detare edhe në funksion të NATO-s.

Në Kosovë janë 30 efektivë nga Forca Tokësore, efektivë të Batalionit Komando, nga Regjimenti i Operacioneve Speciale (ROS). Këta pjesëtarë të Ushtrisë Shqiptare shërbejnë si pjesë e misionit të KFOR-it. Ata shërbejnë në zonën e Pejës, krah kolegëve të tyre italianë dhe kroatë.

Show More

Related Articles

Back to top button