BotaLajme

Shtëpia e Bardhë thirrje për përshpejtimin e ndihmave për Ukrainën përpara ardhjes së dimrit

Kongresi duhet të veprojë me shpejtësi për të ofruar ndihma për Ukrainën përpara fundit të këtij muaji, pas të cilit do të bëhet shumë e vështirë dhënia e ndihmës që i nevojitet Kievit, tha gjatë një konference shtypi zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.

“Na duhet kjo ndihmë menjëherë, në mënyrë që të mund ta dërgojmë pa ndërprerje”, tha zoti Kirby.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara mendojnë se Rusia do të përpiqet të shkatërrojë infrastrukturën jetike për energjinë të Ukrainës këtë dimër, siç veproi vitin e kaluar.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se u takua me komandantët ushtarakë të premten për të diskutuar mënyrat për të prodhuar “rezultate konkrete” vitin e ardhshëm në luftën e Ukrainës kundër Rusisë.

Në fjalimin e tij të mbrëmjes, ai foli për përmirësime në metodat e mobilizimit.

“Kjo nuk është thjesht një çështje numrash, se kush mund të mobilizohet,” tha ai. “Është çështje afatesh kohore për çdo person që është tani në ushtri, për çmobilizimin dhe për ata që do t’i bashkohen ushtrisë. Dhe ka të bëjë me kushtet”.

Ai tha se këto çështje duhej të shqyrtoheshin nga komandantët dhe ministria e mbrojtjes.

“Sot ka patur disa propozime dhe jam në pritje të zgjidhjeve gjithëpërfshirëse”, tha ai.

Komentet e Presidentit Zelenskyy erdhën pasi Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një dekret për rritjen e numrit të ushtarakëve në forcat e armatosura ruse me 170,000 rekrutë të rinj, duke e rritur totalin në 1,320,000 ushtarakë, njoftoi të premten Kremlini dhe ministria e mbrojtjes.

“Rritja e fuqisë së forcave të armatosura është për shkak të kërcënimeve në rritje ndaj vendit tonë lidhur me operacionin ushtarak special dhe zgjerimin e vazhdueshëm të NATO-s”, tha ministria ruse e mbrojtjes.

Ministria ruse tha gjithashtu se nuk ka plane për ta rritur ndjeshëm rekrutimin apo për një valë të re mobilizimi dhe se rritja e numrit të ushtarakëve do të ndodhë gradualisht duke rekrutuar më shumë vullnetarë.

Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev, tani nënkryetar i Këshillit të Sigurisë të Rusisë, tha të premten se mbi 452,000 persona u rekrutuan në ushtrinë ruse me kontratë nga 1 janari deri më 1 dhjetor 2023.

Ukraina po përballet me pengesa për të marrë mbështetjen që i nevojitet nga Perëndimi në luftën e saj kundër Rusisë. Presidenti Zelenskyy thotë se është i shqetësuar se lufta Izrael-Hamas do ta eklipsojë konfliktin me të cilin po përballet vendi i tij me Rusinë.

Në një intervistë ekskluzive me agjencinë e lajmeve Associated Press, ai tha se lufta Hamas-Izrael mund të tërheqë jo vetëm vëmendjen, por edhe burimet nga Ukraina, ndërsa lufton për të zmbrapsur sulmin e forcave ruse.

“Vëmendja është e barabartë me ndihmën. Nëse nuk ka vëmendje do të thotë se nuk ka ndihma”, tha presidenti ukrainas. “Ne luftojmë për çdo pjesëzë të vëmendjes”.

Një anketim i fundit i agjencisë së lajmeve Associated Press (AP) tregoi se pothuajse gjysma e amerikanëve mendojnë se Ukraina tashmë po merr më shumë fonde se ç’duhet nga Shtetet e Bashkuara. Këtë mendim e kanë edhe disa ligjvënës republikanë.

Presidenti ukrainas tha se e kupton që amerikanët po përballen me një zgjedhje të vështirë kur bëhet fjalë për Ukrainën, por ai i tha AP-së se pasojat e mosmbështetjes së amerikanëve për Ukrainën mund të jenë të ashpra dhe mund të çojnë në dislokimin e forcave amerikane në Evropë. Pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, Presidenti Zelenskyy tha se: “Rusia ka shumë të ngjarë të pushtojë vendet e NATO-s dhe më pas do të luftojnë fëmijët amerikanë”.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian mund të mos arrijnë konsensus mbi një propozim për t’i dhënë Ukrainës 55 miliardë dollarë ndihma deri në vitin 2027. Do të jetë “shumë e vështirë” të bien dakord në takimin e nivelit të lartë të Bashkimit Evropian më 14-15 dhjetor, tha të premten një zyrtar i lartë evropian.

Zyrtari i lartë, i cili është i përfshirë në përgatitjen e takimit të nivelit të lartë dhe foli për agjencinë e lajmeve Reuters në kushte anonimiteti, tha se BE-ja vazhdon të jetë e përkushtuar për ta mbështetur Ukrainën, duke sugjeruar se mund të pritet një ndihmë edhe nëse bie plani prej 55 miliardë dollarësh.

Show More

Related Articles

Back to top button