LajmeMaqedoni

Sot do të zgjidhet përbërja e komisionit hetimor për rastin në Klinikën e Onkologjisë

Përgjegjësi për rastin e onkologjisë do të ketë dhe përgjegjësit për keqpërdorime të mundshme do të bëhen publike me emër dhe mbiemër, theksoi dje zëvendësministrja e Shëndetësisë Maja Manoleva, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit të VMRO-DPMNE-së Petar Risteski, transmeton Portalb.mk.

Manoleva tha se procedura me rastin e onkologjisë nuk ka përfunduar dhe nuk mund të jepen kualifikime se askush nuk do të mbajë përgjegjësi për këtë.

“Në komunikimin e përditshëm, si Ministria e Shëndetësisë ashtu edhe Klinika e Onkologjisë bashkëpunojnë siç duhet dhe dorëzojnë në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në Prokurorinë Publike të gjitha të dhënat e nevojshme, të cilat janë kërkuar nga ne. Apelojmë tek këto institucione që ta zgjidhin rastin sa më shpejt që të mos kemi kualifikime të tilla të papërshtatshme. Kjo do të jetë në interes të pacientëve tanë, sepse dua të apeloj dhe të them që të mos bëhen pretendime të rreme se pacientët e vdekur aktualisht për keqpërdorm me ilaçet”, tha Manoleva.

Në rend dite të Komisionit Ligjvënësve janë propozim-vendimi për rishpërndarjen e mjeteve ndërmjet përfituesve buxhetorë të pushtetit qendror dhe ndërmjet fondeve dhe propozim ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ekzekutimin e buxhetit të Maqedonisë për vitin 2023, me procedurë të shkurtuar.

Më 1 shtator 2023, në bazë të urdhrit gjyqësor, sipas drejtimeve të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, pjesëtarë të MPB-së kanë kryer bastisje në Klinikën e Onkologjisë, si dhe në dy lokacione tjera në banesa private në Shkup. Janë marrë disa kompjuterë, të dhëna kompjuterike dhe tjetër dokumentacion, të cilët do të jenë lëndë e analizës dhe ekspertizës. Ky aksion erdhi pas publikimit të informacioneve në media se, se punonjësit e Klinikës së Onkologjisë në mënyrë të paligjshme u shesin barna pacientëve.

Ky rast nxiti reagime të shumta.

Ministria e Shëndetësisë do të bashkëpunojë ngushtë me autoritetet hetimore për zbardhjen e rastit të keqpërdorimit të terapisë për pacientët e Klinikës Onkologjike, kështu ka thënë për këtë rast ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti. Sipas tij, është e nevojshme të kryhet hetim i plotë dhe i paanshëm.

Apel për zbardhjen sa më të shpejtë të rastit të manipulimit të barnave kërkoi edhe ushtruesja e detyrës Violeta Klisarovska, drejtore e Klinikës së Onkologjisë, e cili theksoi se si ekip organizativ ishin plotësisht në dispozicion të organeve hetimore.

Edhe Prokuroria bëri thirrje që të gjithë ata që kanë informacion në lidhje me këtë çështje t’i raportojnë organeve kompetente.

Presidenti i vendit Stevo Pendarovski, tha se ka ardhur koha që të t’i jepet fund kulturës së mosndëshkimit, pasi kjo situatë ka vënë në pikëpyetje cilësinë e trajtimit të pacientëve.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski e përshëndeti aksionin e MPB-së dhe të prokurorisë, megjithatë ai bëri thirrje që të mos bëhet sensacionalizëm dhe të mos sulmohen të gjithë mjekët dhe infermieret, për shkak të disave.

Reaguan edhe dy partitë më të mëdha maqedonase.

Nga LSDM kanë shprehur mbështetje për institucionet për zbardhjen e tërësishme të rastit, duke porositur se, askush nuk do të pasurohet në llogari në shëdetit.

Ndërkaq, nga VMRO – DPMNE-ja opozitare kanë akuzuar se, biznesi me barna në Onkologji është mundësuar vetëm me dijeninë e strukturave të lartë në klinikë dhe në pushtet.

Reagime pati edhe nga partitë shqiptare.

Lëvizja Besa kërkoi që përgjegjësit e këtyre akteve barbare e monstruoze të marrin dënimin maksimal me burg, ndërkaq nga ministri aktual i Shëndetësisë kërkuan të dëshmojë se nuk e ka prioritet pozitën, por qytetarin, këtë duke vendosur në shprehje aktin moral të dorëheqjes.

Bashkimi Demokratik për Integrim kërkoi që institucionet kompetente, në veçanti prokuroria, urgjentisht dhe detajisht të hetojnë të gjitha pretendimet për keqpërdorime të rënda mbi jetën dhe shëndetin e pacientëve.

Nga Aleanca për Shqiptarët, Arben Taravari shkroi se për skandalin në Klinikën e onkologjisë, Aleanca për Shqiptarët ka alarmuar qysh në dhjetor të 2022. Por, askush nuk reagoi dhe u llogarit si një reagim koti.

Lëvizja Demokratike theksoi se në shtete normale për raste të këtilla si skandali i onkologjisë, dorëhiqen qeveritë. Sipas tyre, aksioni policor në Klinikën e Onkologjisë, sipas të gjithë treguesve, në sipërfaqe do të nxjerrë një skandal me përmasa tragjike

Alternativa bëri thirrje që ky rast të mos përfundojë nga Prokuroria Publike njësoj si cinizmi i saj me spitalin modular në Tetovë, ndërsa kërkon mbështetje dhe mbikëqyrje nga ndërkombëtarët që ta vëzhgojnë këtë lëndë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, në një prononcim për emisionin “Click Plus” në Tv 21 e cilësoi rastin si “krim”.

Show More

Related Articles

Back to top button