LajmeRajon

Specialja kërkon transferimin e një rasti nga Kosova në Hagë

Duke rikujtuar nenet 10 dhe 54 të Ligjit dhe Rregullit 203 të Rregullores së Procedurave dhe dëshmive të  Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjykatësi Nicolas Guillou, i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ka aprovuar kërkesën e prokurorit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë, Jack Smith, për transferimin e një dosje nga gjykatat e Kosovës, në atë të Hagës.

Pjesa më e madhe këtij vendimi është e redaktuar dhe nuk dihet saktë se për cilin rast bëhet fjalë, ndonëse gjykata, duke përmendur jurisdiksionin mbi të cilin ajo vepron, e që ka të bëjë me  zbardhjen  e krimeve të luftës, atëherë mund të kuptohet se çështja ndërlidhet me ndonjë rast të tillë.

Në vendim përmendet se – “Dhomat e Specializuara kanë përparësi ndaj të gjitha gjykatave të tjera në Kosovë brenda juridiksionit të saj”, dhe se – “Dhomat e Specializuara mund të urdhërojnë shtyrjen dhe transferimin e çdo procedure në Kosovë që ka të bëjnë me çështjet nën jurisdiksionin e saj”.

Në pikën c) të vendimit, shkruan se -“Çdo gjykatë apo prokuror në Kosovë që ka marrë një urdhër të DSK për shtyrje do t’i transferojë Prokurorit të Specializuar çdo dhe të gjitha dosjet që kanë të bëjnë me rastin e kërkuar pa vonesë”, kurse në pikën d), rikujtohet se -“Një urdhër nga DHSK për shtyrje është përfundimtar dhe i detyrueshëm”.

Rastet kur dosjet për çështje të caktuara transferohen brenda gjykatave në Kosovë janë të shpeshta, por është hera e parë që bëhet publike se një dosje e tillë kërkohet nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Show More

Related Articles

Back to top button