LajmeMaqedoni

Taravari: Kushti i VMRO-së për ndryshime kushtetuese bie ndesh me kornizën negociuese të BE-së

Dy partive më të mëdha maqedonase me oferta dhe kundëroferta për votimin e ndryshimeve kushtetuese, prekin drejtpërdrejt edhe interesin e shqiptarëve. Kështu ka thënë kryetari i ASH-së, Arben Taravari i cili sot bëri të ditur se mbi situatën e krijuar partia e tij deri në fund të javës do të mbajmë mbledhje të Kryesisë së partisë, nga ku do të dalim me qëndrim të dakorduar brenda organeve partiake. Nga konferenca për shtyp të mbajtur në Gostiva, Taravari ka dërguar tre mesazhe. Ai tha se kushtet e partisë së Mickoskit janë konfuze dhe jashtë realitetit, por përshëndet gatishmërinë e partisë më të madhe opozitare maqedonase për të votuar ndryshimet kushtetuese.

“Siç e dimë të gjithë, korniza jonë negociuese e miratuar nga 27 vendet anëtare të BE-së, kushtëzon në mënyrë eksplicite hapjen e negociatave me përmbylljen e ndryshime kushtetuese. Pra, njëherë përmbyllja e ndryshimeve kushtetuese, e më pas hapja e negociatave. Andaj, vlerësoj se kushti i opozitës maqedonase për ndryshime kushtetuese suspensive është thjesht i parealizueshëm, sepse ai bie ndesh me kornizën negociuese të BE-së. E dyta, sa i përket kushtit të VMRO-DPMNE-së për daljen e partive shqiptare nga qeveria, dua të theksoj se neve na intereson përmbyllja e procesit evropian dhe perspektiva e qytetarëve, e jo llogaritë elekotraliste. Aleanca për Shqiptarët vendosi të hynte në qeveri për hir të procesit, por do të adaptohet varësisht nga rrethanat e reja, qoftë në qeveri apo jashtë saj. Për ne, vetëm përmbyllja e procesit është e rëndësishme dhe do të japim kontributin tonë, pa kushtëzime dhe pa shantazhime”, deklaroi Arben Taravari, kryetar i ASH-së.

Mesazhi i tretë i Taravarit ishte se Aleancë për Shqiptarët do të vazhdoj të shtyjë përpara kërkesën për heqjen e 20 përqindëshit që, siç ai tha, mohon identitetin shqiptar dhe futjen e gjuhës shqipe në Kushtetutën e vendit. Vlerësimi i tij është se tash është momenti që të bëhet edhe ky ndryshim!

Show More

Related Articles

Back to top button