GostivarLajme

Taravari: Për dy – tre javë e propozojmë në Kuvend ligjin për përfaqësim të drejtë

VLEN e ka gati Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe të barabartë. Kështu tha në emisionin “Politica” në televizionin Globi, Arben Taravari, njëri nga partnerët e koalicionit shqiptarë në Qeveri. Taravari paralajmëroi se Ligji do të dorëzohet në Kuvend pas dy – tre javësh. Ky ligj vjen si zëvendësues i balancuesit i cili u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese të mërkurën e kësaj jave, vendim ky sipas Taravarit, i ngutshëm dhe me ndikim politik nga ish pushteti. Taravari tha se shqiptarët nuk duhet të shqetësohen pasi përfaqësimi i drejtë dhe i barabartë është kategori kushtetuese dhe si i tillë për t’u implementuar duhet edhe një ligj, i cili sipas tij, do jetë zgjidhje afatgjate për përfaqësim të drejtë.

“Ne veçmë punojmë intensivisht dhe e kemi përgatitur Ligjin për pëfaqësim të drejtë dhe adekuat. Jo veç për përfaqësim të drejtë por edhe gjinorë dhe të kategorive të tjera të ndryshime të margjinalizuara në shoqëri. Kemi kërkuar edhe prej ekspertëve ndërkombëtarë mendime. Kur do e dorëzoni Ligjin? Unë besoj se nuk shkon më shumë se dy-tre javë dhe ligji do të dorëzohet në Parlament, por në ndër kohë ne të jemi të sinqertë duhet të koordinohemi edhe me partnerët e koalicionit”, tha Taravari.

Ai tha se Ligji do ti dorëzohet paraprakisht për konsultim dy partnerëve të koalicionit qeverisë VMRO-DPMNE dhe ZNAM që edhe ata të japin sugjerimet e tyre. Për ligjin në fjalë ai tha se presin fidbek edhe nga opozita shqiptare.

Sa i takon rrugës evropiane të vendit, Taravari tha se qeveria pret mbështetje dhe një garancë të fuqishme nga SHBA-të ose nga BE mbi se nuk do të ketë pengesa të reja nga Bullgaria. Ai paralajmëroi se në këtë drejtim një delegacion i lartë nga BE vjen në Maqedoni për inkurajim të Qeverisë së re në rrugën evropiane.

“Përfaqësues shumë të lartë nga BE-ja në fund të këtij muaji do të jenë në Maqedoni. Emrat nuk dua ti përmend pasi as kryeministri nuk i ka zbuluar, do të vijnë këtu dhe do të japin një farë inkurajimi për qeverinë, por besoj se edhe një farë garance se nuk do të ketë kushtëzime të tjera”, deklaroi Taravari.

Ai tha se nisjen e negociatave me BE-në e pret shumë edhe vetë kryeministri Mickovski, por kërkon garanca se nuk do të ketë kushtëzime të reja.

“Unë jm i sigurtë se z. Mickoski e dëshiron rrugën evropiane të Maqedonisë, mezi e pretë por i duhet një far garance se nuk do të ketë kushtëzime tjera dhe mos dalim në blof sikurse fotografoheshin qeveritë e kaluara në vitin 2018, 2019, mbaheshin konferenca shtypi në 2020 se i fillojmë negociatat, por ne ende nuk i kemi filluar”, shtoi më tej Taravari.

Taravari tha se deri në fund të mandatit të kësaj qeverie, ndoshta edhe nga fillimi i vitit tjetër, nisin negociatat mes Maqedonisë dhe BE-së. Presim, tha ai, që të mbahen zgjedhjet në Bullgari dhe atje të formohet qeveri stabile si dhe të përfundojnë zgjedhjet presidenciale në SHBA. Ndryshe, me datë 24 të këtij muaji, në Maqedoni do të qendrojë për vizitë një delegacion i lartë nga Brukseli drejtuar nga presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen. Vizita e Von der Leyen vjen pas vendimit të Brukselit për të ndarë Shqipërinë nga Maqedonia në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Për Shkupin, procesi është në ngërç për shkak të moszbatimit të Kornizës negociuese me BE-në, përfshirë kërkesën për ndryshimin e Kushtetutës dhe përfshirjen e pakicës bullgare në të.

Show More

Related Articles

Back to top button