LajmeRajon

Të dielën betohet presidenti i ri i Shqipërisë, Bajram Begaj

Të dielën ceremonia e kalimit të detyrës nga Ilir Meta tek Bajram Begaj pritet të nisë në orën 18:00 në Parlamentin e Shqipërisë.

Seancën do ta drejtojë kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla. Pas leximit të formulës së betimit, zoti Begaj do të betohet para deputetëve të Kuvendit, dhe do të mbajë një fjalë përshëndetëse.

Ceremonia e dytë do të zhvillohet në ambientet e Presidencës. Ajo është parashikuar të zhvillohet në orën 19:30. Në këtë ceremoni bëhet dorëzimi i detyrës nga presidenti aktual, Ilir Meta, tek Presidenti i ri, Bajram Begaj, i cili mësohet se do të shoqërohet nga familja e tij.

Në mënyrë simbolike kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tushaj, do i dorëzojë Presidentit Begaj, Kushtetutën e vendit. Pjesë e ceremonialit do të jetë dhe shoqërimi i emërimit të kreut të shtetit me 21 të shtëna topi artilerie me interval 30 sekonda nga njëra-tjetra. Gjatë gjithë kohës, flamuri kombëtar qëndron i ngritur.

Pasi  presidenti i zgjedhur i Republikës, Bajram Begaj të bëjë përshëndetjen e rastit do të bëhet  parakalimi tradicional i truprojës së nderit. Pas kësaj, të pranishmit ftohen në Pallatin e Brigadave për të marrë pjesë në pritjen zyrtare.

Show More

Related Articles

Back to top button