BotaLajme

Temperatura në Pekin kalon 40 gradë Celsius për herë të parë që nga viti 2014

KINË- Temperaturat në Pekin u rritën mbi 40 gradë Celsius të enjten për herë të parë që nga viti 2014, duke thyer rekordin për ditën më të nxehtë të qershorit dhe kryeqyteti kinez paralajmëroi për mot jashtëzakonisht të nxehtë gjatë fundjavës, raportoi Reuters.

Një stacion meteorologjik në periferi jugore të Pekinit regjistroi 40.1°C në orën 13:25 me kohën lokale, sipas byrosë komunale të motit, duke tejkaluar 40°C për herë të parë që nga 29 maj 2014.

E enjtja ishte gjithashtu dita më e nxehtë e qershorit në Pekin që nga fillimi i regjistrimeve moderne të motit. Rekordi i mëparshëm i të gjitha kohërave u vendos më 10 qershor 1961, kur temperatura arriti në 40.6°C.

Herët të enjten, qyteti me afro 22 milionë banorë shpalli kodin portokalli, niveli i dytë më i lartë i paralajmërimit të motit, duke thënë se temperaturat mund të rriten në 39°C në shumicën e pjesëve të qytetit nga e enjtja deri të shtunën, shkruajnë mediat e huaja. 

Pekini, Tianjin, Hebei dhe Shandong në Kinën veriore dhe lindore u goditën nga valët e të nxehtit javën e kaluar, duke bërë që autoritetet lokale të shtojnë përpjekjet për të mbrojtur të korrat, për të garantuar sigurinë e turistëve dhe për të pezulluar punën në natyrë gjatë pjesës më të nxehtë të ditës.

Show More

Related Articles

Back to top button