LajmeRajon

U mbajt peng dhe u dhunua për një javë, policia merr në mbrojtje 28-vjeçaren: Reaguam menjëherë për ngjarjen

Policia e Tiranës ka reaguar lidhur me dhunimin e 28-vjeçares nga bashkëjetuesi Gleard Gusholli.

Në një sqarim zyrtar, policia bën me dije se 28-vjeçarja po merr ndihmë mjekësore, ndërsa thekson se autoritetet kanë reaguar menjëherë pasi janë njohur në këtë informacion.

Më tej sqaron se Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e jetës së saj, gjatë qëndrimit në spital si dhe jashtë ambienteve të tij, si dhe gjithashtu të familjarëve të saj.

NJOFTIMI:

Në lidhje me ngjarjen e dhënë për shtyp ditën e djeshme, mbi rastin e dhunimit të një shtetaseje, ju sqarojmë se:

28-vjeçarja është paraqitur për ndihmë në shërbimet e emergjencës mjekësore me datë 15.04.2023, ku është njoftuar dhe Policia, dhe me marrjen e këtij informacioni, Komisariati i Policisë Nr. 2 ka reaguar menjëherë me profesionalizëm për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale, dhe ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar të ngjarjes shtetasin G. G., 31 vjeç, i cili është arrestuar pak orë pas shpalljes në kërkim.

Gjithashtu, në lidhje me këtë rast janë arrestuar për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, shtetasit B. N., dhe A. Sh., si dhe për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, shtetasit B. K., dhe E. K.

Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e jetës së saj, gjatë qëndrimit në spital si dhe jashtë ambienteve të tij, si dhe gjithashtu të familjarëve të saj.

Avokati i vajzës të dhunuar dhe të marr peng për një javë në Tiranë kërkoi që të rishikohet akuza e ngritur ndaj Gleard Gushollit.

Në një deklaratë për mediat, avokati Enea Cenko kërkoi që 31-vjeçari të akuzohet për pengmarrje dhe tentativë vrasjeje.

Ai u shpreh se vajza 28-vjeçare është e rënduar psikologjikisht me shenja të dukshme të dhunës në trup dhe ndihet e kërcënuar për jetën.

“Është e rënduar psikologjiksht dhe ka shenja të dukshme të trup. I bëj apel të gjitha institucioneve shtetërore të marrin në dorë jetën e vajzës, të merret menjëherë në mbrojtje nga shteti shqiptar. Institucionet të marrin masa për mbrojtje të shpejtë për vajzën dhe familjen e saj”, tha avokati. 

Vajza e dhunuar barbarisht nga bashkëjetuesi i saj, Gleard Gusholli ka deklaruar për mediat se “ka parë vdekjen me sy”.

Ajo deklaroi se 31-vjeçari e godiste me shqelma e grushte, si edhe e kërcënonte se do e mbyste në lumë.

Ajo thotë se Gusholli i fuste gishtat në grykë për ta mbytur, ndërsa shton se ka tentuar të hidhet nga kati i pestë i banesës ku mbahej por nuk ja ka dalë dot.

Madje ajo thotë se ai e ka detyruar edhe të pijë kokainë me zorr. E gjitha kjo ka ardhur sipas saj si një hakmarrje e autorit, pasi dyshonte se prindërit e 28-vjeçares e kishin denoncuar për dhunë në Gjermani e si pasojë e kësaj ishte dënuar nga ky shtet.

Rrëfimi i plotë i 28-vjeçares:

“Më ka kërcënuar do të hedh në lumë, do marr kushëririn në telefon, nuk do të nxjerr nga shtëpia. Kam tentuar disa herë të hidhesha nga ballkoni se nuk e dora dot më. Më gjuante me grushte e me shkop. Më nxirrte thikën, ma mbante te këmba, më thoshte do ta çaj barkun. I lutesha të më hapte derën. Nuk më do mirë, vetëm më hap derën. Donte të hakmerrej se kemi qenë 3 muaj të ndarë. Në Gjermani ka nisur nga dhunë. Prindërit e mi e kanë marrë vesh dhe e kanë nxjerrë nga shtëpia. Kishim 1 vit e gjysmë që njiheshim. Në Gjermani më ka dhunuar, nuk e kemi denoncuar as unë as familja. Prej xhelozisë donte të hakmerrej, më merrte telefonin, nuk kontaktoja dot askënd. Në Gjermani kemi bashkëjetuar 1 muaj e gjysmë dhe prindërit e mi e nxorrën nga shtëpia.

Persona të tjerë nuk kanë ndikuar në këtë dhunë por e di që fliste në telefon, shkruante mesazhe, më kërcënonte se do vijë shoku im tani, do të torturojmë.

Ai akuzonte prindërit e mi dhe mua që ne e kemi denoncuar, ne s’kemi bërë as denoncim e asgjë dhe në këtë moment merr gocën e dajës në telefon dhe i thotë të lutem më gjej një avokat në Gjermani dhe më thuaj pse s’më lejohet të hyj në Gjermani.

Kur flisja në telefon me gocën e dajës së tij, ajo i thoshte të lutem mos u zini. Kur folëm prap në telefon, i thashë gocës së dajës të vijë të më ndihmojë. Më fuste 4 gishtat në grykë dhe donte me ma marr shpirtin. Unë e dija që po vdes e po jap shpirt. Më ka dhunuar. Unë kam lindur e jam rritur në Gjermani, jam infermiere.

Ai ka qenë në qytetin tim dhe ka kërkuar ndihmë se nuk ndihej mirë. Unë si shqiptare doja ta ndihmoja.

Më ka detyruar të konsumoj drogë. Këto 5 ditët e fundit e kam kosnumuar, herët e tjera s’kam pasur kurrë lidhje me drogë. Mua nuk ka cfarë më mban Shqipëria, erdha të krijoja familjen me Gleardin, erdhi të hakmerret me mua. Me familjarët s’kam folur. Ditën që erdhi kunata për të më ndihmuar, rreth 15 herë më fuste gishtat në fyt e donte të më mbyste. Kur hapi derën ishte kunati i Gleardit, cuni i dajës dhe goca e dajës. Ata e nxorrin nga shtëpia. Goca e dajës më veshi rroba se isha nudo, më kishte futur në dush e donte të më vriste. Unë jam e vdekur”, tha 28-vjeçarja.

Show More

Related Articles

Back to top button